Ditën e djeshme në emisionin "Thumb" ka qenë i ftuar aktori i njohur dhe moderatori i emisionit 'BE Caffee', Olsi Bylyku i cili ka zbuluar shumë të pathëna për jetën e tij private, lidhjen e re, por ka folur dhe për spektaklin ku u bë i famshëm 'Portokalli'.
Ndryshe nga aktorët e tjerë të cilët kur janë larguar kanë pasur ankesa, Olsi ka habitur teksa ka zbuluar se çdo të diel e ndjek spektaklin dhe se për të Portokalli mbetet emisioni më i mirë i humorit.
“Çdo të diel në darkë në shtëpi e shoh Portokallinë dhe kënaqem.Kur shoh skeçet e kolegëve më lind dëshira të shtoj batutën time, them me vete ‘ah po të isha aty do kisha shtuar këtë gjë’”, ka treguar Olsi teksa më vonë ka zbuluar se pavarësisht se u largua me regjisorin Altin Basha vazhdon mban kontakte shumë të mira.
“Unë Portokallinë e kam edhe në krah, e kam bërë tatuazh dhe e kam ndalur aty. Projektet e tjera të ngjashme ku angazhohem nuk do t’i bëj tatuazh sepse për mua skena e parë ka shumë vlerë”, rrëfeu ndër të tjera Olsi.