INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Presidenti Meta: Ju tregoj pse nuk e firmosa dekretin për shkarkimin e ministrit Bushati

Presidenti Meta: Ju tregoj pse nuk e firmosa dekretin për shkarkimin e ministrit Bushati

Publikuar më: 21:44 07-01-2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar ka sqaruar mbrëmjen e sotme arsyen pse nuk e firmosi menjëherë propozimin e kryeministrit Rama për shkarkimin e Ditmir Bushatit nga detyra e ministrit të Jashtëm.

Meta foli për herë të parë për këtë çështje që shkakoti diskutim në publik në emisionin “A Show” të gazetarit Adi Krasta dhe pyetjes së tij se pse nuk e dekretoi menjëherë shkarkimin e Bushatit, Presidenti u përgjigj kështu:

“Dua t’ju siguroj që edhe në këtë rast Presidenti i Republikës do t’i përmbushë të gjitha detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore për t’iu përgjigjur vullnetit të kryeministrit, gjithmonë, në interes të respektimit të Kushtetutës dhe të respektimit të ministrit, si institucion kushtetues. Në këtë drejtim besoj se u përgjigja menjëherë në lidhje me ministrat, pra me dekretimin e lirimit të tyre, përveç ministrit të Jashtëm, dhe me emërimin e të gjithë deputetëve apo figurave të njohura politike në post ministri, të cilët për arsye të pozicioneve të tyre publike, i kanë kaluar disa filtra në të kaluarën.

Lidhur me pjesën tjetër, ata që janë emra të rinj, kanë nevojë t’u nënshtrohen verifikimeve përkatëse. Përsa i takon ministrit të Jashtëm do të bëj një sqarim: Mendoj se ky është një pozicion tepër i rëndësishëm dhe delikat. Çdo pozicion ministri është i tillë, por arsyet rreth përfshirjes së Shqipërisë në disa iniciativa mjaft të rëndësishme si në Trojkën e OSBE-së, në...”.

Gazetari: Institucioni duhet të ketë një lloj vazhdimësie...

Presidenti Meta: ... vazhdimësie, për arsye të integrimit europian dhe për çdo gjë tjetër. Dhe mendoj se Shqipëria nuk duhet të jetë për asnjë sekondë pa ministër të Jashtëm.

Gazetari: A mund të mendohet, mund të sugjerohet që mosdekretimi i shkarkimit të zotit Bushati nuk ka lidhje me të personalisht, por ka lidhje me faktin që do të ketë një ‘vetting’ më të gjerë e më të kujdesshëm ndaj ministrit të propozuar Cakaj?

Presidenti Meta: Nuk ka të bëjë me këtë çështje, por ka të bëjë me pozicionin e ministrit të Jashtëm që është një pozicion më delikat. Ky proces do të kërkojë kohën e vet, që nuk varet nga Presidenti i Republikës, por nga përgjigjja e institucioneve, të cilave u jemi drejtuar.

Presidenti Meta nuk ka firmosur ende dekretet për emërimin në postin e ministrit të 5 emrave të propozuar nga kryeministri Rama, respektivisht Genti Cakaj, Elva Margariti, Besa Shahini, Belinda Balluku dhe Anila Denaj.

Meta ka sqaruar gjithashtu dhe arsyet pse sipas tij po vonon të hedhë firmën për secilin nga propozimet e Ramës.

Gazetari: Zoti Meta, një nga analistët në Shqipëri, kishte hedhur teori konspiracioni, – nga ato treqind teoritë e konspiracionit që zakonisht prodhohen në njëzet e katër orë, – që ky veprim jo domosdoshmërisht është një veprim institucional i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, por kishte aluduar se është ‘një marrëdhënie e ndërlikuar midis Metës dhe Bushatit’, ‘një antipati reciproke’ dhe le të themi një lloj ‘futjeje e shkopinjve në rrota’ për çdo moment, gjatë gjithë kohës që ai ka qenë në detyrë. Kjo natyrisht që nuk është e vërtetë?

Meta: Unë besoj se marrëdhënia ime me të gjithë ministrat, me të gjitha institucionet, nga ana e Presidentit të Republikës, por edhe nga ana personale, njerëzore, ka qenë jashtëzakonisht korrekte. Së dyti, nga ana institucionale, akoma edhe më korrekte, nga Institucioni i Presidentit. Dhe për këtë besoj se kanë qenë në dijeni edhe kryeministri apo edhe kryetari i Kuvendit, apo komisioni i Jashtëm në Kuvend. Dhe ideja ka qenë për të mbështetur gjithmonë ministrin e Jashtëm, pavarësisht nga emri që ka qenë apo nga ai që mund të jetë në të ardhmen, për të përmbushur ato detyra, të cilat janë të një rëndësie të madhe dhe delikate, sepse lënë gjurmë të mira ose jo në planin ndërkombëtar dhe lidhen me interesa të sigurisë kombëtare, të integrimit europian, të detyrimeve ndaj NATO-s dhe partnerëve strategjikë. Pra janë çështje delikate.

Gazetari: A i ka kërkuar Institucioni i Presidenti të Shqipërisë, ose a duhet t’i kërkojë një informacion zyrtar me firmë e me vulë të firmosur nga Presidenti i Republikës, ose nga Zyra e Tij Ligjore, kryeministrit të Kosovës në raport me ministrin e sugjeruar Cakaj?

Meta: Nuk do të dëshiroja të hyja në komente, por ne do të bëjmë të gjitha kërkimet apo verifikimet për...

Gazetari: A mund të themi një “po’, ose një ‘jo”?

Meta: .. për të gjithë ministrat. Ne do të bëjmë të gjitha verifikimet e duhura dhe të mundshme.

Article Logic
Execution time: 0.0037100315093994