INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Presidenti Meta pritet nga homologu italian Mattarella [VIDEO]

Publikuar më: 16:24 11-09-2017

Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me homologun italian, Sergio Mattarella. Një vëmendje të veçantë të dy Presidentët i kushtuan bashkëpunimit për çështjet e sigurisë dhe të rendit, duke theksuar nevojën e rritjes së koordinimit dhe të bashkëveprimit mes institucioneve ligj-zbatuese për të luftuar me efikasitet krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet e paligjshme në Mesdhe dhe në dy anët e Adriatikut, në veçanti atë të narkotikëve si rrezik jo vetëm për Shqipërinë e Italinë por edhe për Evropën.

presidentet_2.jpg

Si Meta ashtu edhe Mattarella ndanë mendimin se zbatimi në kohë dhe me sukses i reformës në drejtësi, do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në afrimin e shpejtë të vendit me Bashkimin Evropian. Roli konstruktiv i Shqipërisë, bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë e të mirëkuptimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe angazhimi i Italisë për paqen, stabilitetin dhe integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian, zunë një vend të veçantë në bisedimet mes dy Presidentëve.

president_3.jpg

Presidenti Mattarella e siguroi Presidentin Meta për vijimin e mbështetjes së Italisë për Shqipërinë, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në atë të integrimit në Bashkimin Evropian. Presidenti Mattarella nënvizoi se: “Shqipëria është shumë e rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit dhe përcaktuese me rolin konstruktiv që ajo luan”. Në kuadër të angazhimeve të partneritetit strategjik dhe institucionalizimit të takimeve periodike mes dy krerëve të shtetit, Presidenti Meta e ftoi Presidentin Mattarella për një vizitë shtetërore në Shqipëri, ftesë që u mirëprit me kënaqësi.

presidentet_4.jpg

Meta i kushtoi një rëndësi të veçantë çështjes së arritjes së marrëveshjes me autoritetet italiane në fushën e sigurimeve shoqërore për shqiptarët që jetojnë në Itali, si dhe afirmimit të vlerave dhe kontributeve të tyre në rritje në jetën ekonomike, shoqërore e politike italiane. Të dy Presidentët konsideruan komunitetin arbëresh në Itali si vlerë dhe themel mbi të cilin ngrihen marrëdhëniet historike, njerëzore, politike mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe ranë dakord për mbështetjen, promovimin dhe ruajtjen e vlerave historike e kulturore të tij, si përmes iniciativave të përbashkëta ndërshtetërore, ashtu edhe për përfshirjen në listën e trashëgimisë evropiane dhe asaj botërore të UNESCO-s.

Article Logic
Execution time: 0.0039279460906982