Blendi Fevziu ka organizuar një emision të veçantë me rastin e 20 vjetorit të “Opinion” në një studio të improvizuar në mjediset e “Korpusit Universitar”. Pas fjalës së tij, drejtuesi i emisionit Opinion, Blendi Fevziu, intervistën e parë e ka zhvilluar me Presidentin e Republikës, Ilir Meta.
Presidenti Meta është pyetur nëse e mban mend herën e parë kur ishte i ftuar në emisionin Opinion, por sipas tij, njëzet vite dhe nga e gjithë kjo gjë, e vetmja që nuk ka ndryshuar është drejtuesi i këtij emisioni. Në këtë intervistë e cila nuk zgjati shumë Meta foli për disa nga eksperiencat e tij në politikë, pasionin për librat të cilin e ushtron edhe sot me shumë kënaqësi në kohën e lirë.
Mirëpo e papritur ishte dhurata që i bëri Fevziut me rastin e 20 vjetorit të emisionit. Në kutinë që i sollën “live”, Meta i dhuroi Fevziut një dron.
Meta: Kemi sjellë diçka për të ndihmuar regjinë tuaj, sepse ju gjithmonë na merrni nga para, nga prapa, në mënyrë të befasishme… E ndava bashkë me vajzën time, Erën, t’ju sjellim një dron, që të na merrni edhe nga lart.
Fevziu: Po droni mund të jetë shumë problematik. Se kushedi çfarë mesazhesh do ju zbulojmë politikanëve që ju çojnë kryetarëve të partive.
Meta: Është një kënd tjetër, është një lartësi e re për regjinë tuaj.
Fevziu: Është një dron. Në fakt dhuratë më e mirë është për regjisorin, gjithsesi unë ju falenderoj.
Ilir Meta ka folur gjithashtu për jetën e tij si dhe karrierën politike. Presidenti tha se para viteve 1990 ka pasur ëndërr të bëhej pedagog në fakultetin e Ekonomisë. “Unë kam pasur ëndërr të bëhesha pedagog në fakultetin e Ekonomisë dhe kjo ishte maksimumi për të ëndërruar në fund të viteve 1980”- tha Meta.
Ndër të tjera Presidenti i vendit u shpreh se në vitet 1990 ka dashur të largohet jashtë Shqipërisë.
“Një shoku im kishte hyrë në ambasadën gjermane dhe unë doja të largohesha bashkë me të. Por kjo nuk ndodhi dhe unë mbeta këtu”- tha Meta.