Kjo video e mrekullueshme e filmuar me dron, tregon peizazhin spektakolar të Shqipërisë, ashtu siç nuk e keni parë ndonjëherë më parë, dhe me siguri do të i’u bëjë të rezervoni fluturime menjëherë. Kështu shkruhet për vendin tonë në një shkrim të prestigjozes amerikane Lonely Planet, e cila boton guidat më të famshme turistike në botë.
Regjisori John Broadbean udhëtoi drejt Shqipërisë në muajin maj për nëntë ditë, për të filmuar një pjesë të peizazhit për “Untravelled Paths” dhe u mahnit nga ajo që pa, e sigurisht tha fjalët më të mira të mundshme. “U befasova shumë nga Shqipëria”, tha ai për Lonely Planet. “Bukuria e saj është e pabesueshme, vargjet malore pafund, që rrallë i gjen në shumicën e vendeve dhe ushqimi është i mahnitshëm kudo që shkoje!”
“Rimëkëmbja e ngadaltë e Shqipërisë nga komunizmi nënkupton që një pjesë e madhe e vendit të jetë ende e paprekur, por nuk ka siguri nëse do të mbetet edhe për shumë kohë kështu. “Ishte një nga javët më me aksion të jetës sime dhe unë e ndjej se kam nevojë për të kaluar më shumë kohë atje. Sinqerisht është një nga vendet më të bukura që kam vizituar ndonjëherë në botë (dhe unë kam udhëtuar shumë)”, shkruan John.
Regjisori Broadbean informon ndjekësit e tij se Shqipëria gjatë dy viteve të fundit po i kushton vëmendje të veçantë përgatitjes së paketave turistike. E kaluara komuniste, thotë ai, ka ngjallur interes për vizitorët. Këtu ai informon për hapjen e bunkerëve dhe të “Shtëpisë së Gjetheve”, të cilën ai e quan muzeu ku mund të eksplorosh historinë e policisë sekrete.
Po ashtu ai flet edhe për iniciativën e ndërmarrë nga qeveria për të zhvilluar turne birdëatching në ligatinat e Adriatikut, ku numrat e kafshëve të egra janë shtuar ndjeshëm shprehet ai , që nga moratoriumi për ndalimin e gjuetisë që hyri në fuqi në vitin 2014.