INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pretendimet e kunatit të Babales/ Policia reagon: Veliu nuk e ka takuar kurrë

Pretendimet e kunatit të Babales/ Policia reagon: Veliu nuk e ka takuar kurrë

Publikuar më: 11:53 10-10-2018

Policia e Shtetit ka reaguar pas videos së publikuar nga deputeti i PD, Ervin Salianji, ku shfaqet kunati i Babales, Fredi Alizoti, që pretendon se është marrë me makinë nga drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu. Policia e Shtetit ka mohuar të gjitha deklarimet e Alizotit në video, ndërsa shton se gjithçka është e pavërtetë.
Në video, Alfred Alizoti pretendon se në datë 1 qershor para deklarimeve në Drejtorinë e Policisë së Fierit është marrë me makinë nga drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe është dërguar te Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit:
‘’Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka qenë për asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe në asnjë cilësi shoqërues, kontaktues apo në çdo formë tjetër i shtetasit Alfred Alizoti.Atë që ky i fundit deklaron në një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë dhe e prezantuar publikisht nga deputeti Salianji, është fund e krye e pavërtetë. Për këdo të interesuar është lehtësisht i verifikueshëm fakti se Drejtori i Përgjithshëm në ditën që shtetasi Alizoti është shoqëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka qenë me angazhime të tjera. Me përgjegjësi publike deklarojmë se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në asnjë rast nuk është përfshirë në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes të ashtu-njohur publikisht si çështja “Babale”.Edhe nëse kjo mund të kishte ndodhur, ajo nuk do të përbënte asnjë shkelje ligjore për sa kohe do të ishte në zbatim të urdhërimeve të prokurorisë, ose gjykatës. Me këtë rast bëjmë me dije publikisht se në lidhje me çështjen hetimore të sipërcituar Policia e Shtetit nuk ka kryer asnjë veprim procedural me iniciative të vetë, por në çdo rast ka vepruar kur ka patur urdhërime të prokurorisë, ose të gjykatës. Në këtë kuadër edhe shoqërimi i shtetasit Alizoti është bërë në zbatim të urdhrit të prokurorit të çështjes. Ky veprim procedural është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier.
Jemi të hapur që prokuroria ta hetojë edhe këtë aspekt në detaje në kuadrin e procesit hetimor që ajo po kryen për këtë çështje’’ thuhet në deklaratën e policisë.

Article Logic
Execution time: 0.0032899379730225