Është prezantuar sot nga Qeveria paketa e negociuar me kompaninë konçesionare për skemën lehtësuese tarifore të kalimit në aksin Milot-Morinë për banorët e Qarkut të Kukësit, mjetet e transportit publik dhe përdoruesit e shpeshtë. Grupi ndërministror, i cili ka negociuar me kompaninë konçesionare bazuar mbi këto kërkesa të grupeve të interesit dhe hapësirave buxhetore, përmbylli paketën lehtësuese. Por, edhe pse është pranuar nga qeveria se kjo është zona më e varfër, përsëri do të jenë banorët e Kukësit që do të nisin të paguajnë të parët për rrugët. Për të gjithë përdoruesit e rrugës nga qarku Kukës, tarifa do të jetë 100 lekë me tvsh për 1 kalim, ndërsa për më shumë se 44 lëvizje do të jetë e kufizuar. Ata do të marrin falas pajisjen elektronike Telepass dhe përmes saj do bëjnë rimbushjen e vlerës së kalimeve mujore sipas nevojës. Edhe për tarifimin e linjave të autobusëve do të jetë 100 lekë me tvsh për 1 kalim.Ndërkohë, për mjetet e tjera si nga Kosova apo Shqipëria kryesisht bizneset, do të kenë skonto deri në masën 40% nëse do të kenë mbi 60 kalime. Ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri nga Kukësi ka pohuar se:
“Qeveria po merr rriskun më të madh. Ne po marrim rriskun financiar për të zgjidhur një problem social meqenëse Kukësi është zonë e varfër, është deri diku e izoluar, nuk ka rrugë të qënësishme alternative dhe jemi koshient për këtë. Ne mendojmë që kjo punë të fillojë në Shtator. Pra, kjo verë të kalojë duke dëgjuar edhe bizneset, pjesën e Kosovës. Nga 17 Shtatori të fillojë të aplikohet tarifa. Këto favore për biznesin janë njësoj edhe për Kosovën. Pra, nuk kemi ndjekur parim diskriminues”
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se rruga paraqet vështirësi në mirëmbajtje dhe kosto të larta por mbetet strategjike.
“Ajo është rrugë sa është e vështirë edhe strategjike. Pse është e vështirë? Këndet gjeologjike gjeografike i ka të vështira, një pjesë e saj ngrin gjatë dimirit, ndërkohë që strategjikisht është mundësia e Aeroportit të Kukësit. Ndërkohë nga ana strategjike, sigurisht që ka lidhje me Qarkun e Kukësit, që është fatkeqësisht një nga qarqet më të varfëra dhe me Kosovën”, tha Ahmetaj.
Për shkak se kjo periudhë përkon me hyrjen e shumë pushuesve nga Kosova, është përcaktuar që kalimi me pagesë në aksin Milot-Morinë të fillojë zbatimin duke nisur nga data 17 Shtator 2018. Shteti shqiptar duhet të paguajë koncesionarit në 30 vitet e kontratës 48.5 milion euro si rezultat i zbatimit të këtyre tarifave të reduktuara për banorët e Qarkut Kukës, mjetet e transportit publik në këtë zonë dhe përdoruesit e shpeshtë.