Christian Panucci është trajneri i ri i kombëtares shqiptare të futbollit.
Ish lojtari i njohur italian zhvilloi konferencën e parë në zyrat e FSHF-së, ku foli për aventurën e re në krye të kuqezinjve.
Kreu i FSHF-së, Armand Duka, u shpreh se kanë bërë zgjedhjen e duhur.
“Kemi zgjedhur një nga emrat më të mëdhenj në futbollin Europian. Jam shumë i bindur që kemi bërë zgjedhjen më të mirë. Për mua është një trajner me një dëshirë të madhe, dhe besoj se bashkë me stafin e tij, do të bëjë të mundur që të jemi pjesë e Euro 2020”, tha Duka.
Ndërsa Panucci u shpreh se është mjaft i lumtur që do të drejtoj Shqipërinë.
Ai tha se objektivi i tij do të jetë Europiani i 2020.
“Mirëdita të gjithëve , jam shumë i nderuar që marr detyrën e trajnerit të ri të Shqipërisë. Falenderoj Dukën, por mbi të gjitha është një përgjegjësi shumë e madhe që marr këtë detyrë. Jam bindur që kemi një skuadër shumë të mirë dhe besoj se do më japin një mbështetje të madhe. Kur të mbaroj kjo aventurë shpresoj që të kem bërë diçka të mirë për këtë ekip. Kemi dhe katër ndeshje edhe pse besoj se është i pamundur kualifikimi.
Pranimi i ftesës për të marrë drejtimin e ekipit? Ishte shumë e thjeshtë për t’i thënë po, pasi do të marrë frenat e një skuadre.
De Biasi dha shumë për Shqipërinë? Gjërat kanë ndryshuar, pasi tashmë skuadra është në një nivel shumë të lart, ndërkohë që në atë kohë ishte në ndërtim. Grupi është i kompletuar, dhe nëse do të ketë elementë të tjerë mund të vijnë”, u shpreh trajneri i ri i kuqezinjve.