Ka marrë fundja pritja e gjatë për të dëgjuar versionin final të këngës që do të na përfaqësoj në Eurovision. Këngëtari Eugent Bushpepa ka prezantuar në faqen e tij versionin final të 'Mall'.
Kënga ka pësuar disa ndryshime, në minutazh por edhe në ritmin e saj. Të befasuar kanë mbetur shumë ndjekës pasi nuk është realizuar një videoklip, por është riprezantuar klipi i festivalit kur këngët garonin në muajin dhjetor.
Më shumë se sa mungesa e një klipi ajo që duket nga komentet, të paktën nga ato në faqen e këngëtarit, është një zhgënjim për versionin final. Shumë ndjekës thonë se kënga ka humbur fuqinë që kishte në versionin e Festivalit, është hequr momenti kulminant dhe se tashmë kënga është bërë monotone.
Ndërsa në kanalin e Youtube të Eurovision shumë vlerësojnë faktin që më në fund këndohet në shqip ndërsa as aty nuk mungojnë komentet rreth faktit që përpunimi i ri nuk i duket aq dinamik.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar pse këtë vit nuk u xhirua një klip zyrtar ndërsa urojmë që përtej komenteve në rrjetet sociale kënga jonë të votohet dhe Eugenti të shkëlqej në skenë.
Janë të shumtat rastet kur performancat e mrekullueshme Live marrin vëmendjen e ndjekësve evropian duke bërë që të votohet sa më shumë. Urojmë të ndodh edhe me Eugentin! /INTV