Artistët kanë mbërritur në Komisionin e Medias, ku në fakt mungonin përfaqësuesit e shumicës. Duke e cilësuar si atentat nismën për shembjen e Teatrit Kombëtar, artistët i kërkuan opozitës që të bllokojë këtë projekt ogurzi. Në mbledhjen e sotme ku morën pjesë artistët, të cilët kundërshtojnë projektligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar, Mirela Kumbaro ka zgjedhur që mos të jetë e pranishme. Edhe në këtë takim aktori i mirënjohur Robert Ndrenika u shpreh se bojkoti i maxhorancës tregon së këtu fillon lufta.
Robert Ndrenika:
“Bojkoti i tyre tregon se këtu duhet të fillojë lufta. Nuk e kuptoj këtë gjë. Unë kisha ndërmend që të flisja të hyja në debat me to. Nuk di çfarë të them se dhe atëherë kur më mbyllën mikrofonin. Ndërtimi i teatrit më PPP është shqeto vjedhje. Kjo histori ka 20 vjet që ka filluar pa pyetur aktorët. Një arbitraritet që nuk di çfarë të them me keqardhje po them por këtu fillon lufta. Jo vetëm ne si komunitet artistësh po na përbuzin po dhe juve po ju përbuzin. Ajo tokë është e komunitetit teatror, kanë lënë kockat njerëzit atje. Këtu më lë shteg të mendoj se këtu do të vjedhë dhe kryeministri dhe ministresha. Më vete mendja sepse përderisa nuk vijnë të ulen të diskutojnë.”
Alfred Trebicka:
“Çdo natë dëgjoj takime me popullin për llogaridhënie, një demagogji e përbindshme dhe e turpshme. Dhe këta njerëz që shkojnë në mbarë vendin si ka mundësi nuk i japin një herë fjalën Robert Ndrenikës, si një ikonë e artit shqiptar. Që janë frikacakë unë nuk e vë në dyshim por fshihen dhe mbrohen pas pushtetit. Në rast se do të shkohet deri tek akti i fundit i shembjes së Teatrit Kombëtar, do të jetë një turp i madh për ata që e bënë dhe për ne që e lejuam. Do të jetë një turp. Për të gjithë ne do të jetë një njollë e zezë!”