Kryeministria zbardh axhendën e pritjes së Kombëtares Shqiptare, në ditën që ata do të kthehen në vendit tonë, pas përfaqësimit dinjitoz në kampionatin europian. Është rezervuar një pritje madhështore, e cila do të nisë në Aeroportin e Rinasit, për tu përmbyllur në fund në një darkë me krerët më të lartë të shtetit shqiptar.
Njoftimi i Kryeminisrisë:
“Avioni i Kombëtares pritet të mbërrije sot në Rinas rreth orës 15.00. Në Aeroport, Kombëtarja do të pritet nga Kryeministri Rama me të gjitha nderimet ushtarake dhe rojen e nderit. Më pas, skuadra e Kombëtares do të spostohet me një autobuz të hapur drejt Tiranës ku ndalesa e parë do të jetë përpara Bashkisë së Tiranës. Pikërisht aty, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj do t'u japë djemve të Kombëtares simbolin e Tiranës, çelësin e qytetit. Ndalesa e dytë për Kombëtaren do të jetë Ministria e Punëve të Jashtme, ku Ministri Bushati do të presë skuadrën e Kombëtares, të cilët do të bëjnë edhe aplikimin për pasaportën diplomatike, premtim ky i Kryeministrit Rama. Ndalesa e tretë do të jetë në Kryeministri, ku shefi i qeverisë do të presë zyrtarisht skuadrën e Kombëtares dhe ku të ftuar do të jenë edhe futbollistët me të shquar kuqezi ndër vite. Etapa tjetër do të jetë sheshi Nënë Tereza, pikërisht Fun Zone nga ku qytetarët e Tiranës ndoqën me emocion ndeshjet e Kombëtares. Në Fun Zone do të ketë një koncert madhështor me DJ dhe këngëtarë të njohur, ndërkohë që djemtë e Kombëtares do të kenë mundësinë t'i flasin sportdashësve shqiptarë nga një skenë e ngritur posaçërisht për këtë ditë. Në mbrëmje, Kryeministri Rama do të shtrojë një darkë në nder të ekipit kuqezi, ku do të marrin pjesë personalitete të larta të shtetit shqiptar dhe të Kosovës”.