INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Probiotikët dhe bakteret e mira për shëndetin, zbuloni gjithçka rreth tyre

Probiotikët dhe bakteret e mira për shëndetin, zbuloni gjithçka rreth tyre

Publikuar më: 18:39 07-12-2017

Shumica e reklamave në televizion tregojnë që ne kemi shumë nevojë për probiotikët. Tregjet janë të mbushura me produkte të pasura me probiotikë. Mjekët gjthnjë sugjerojnë shoqërimin e antibiotikëve me probiotikë. A e dini se çfarë janë probiotikët? A kemi me të vërtetë nevojë për to? Shumë prej nesh nuk kanë një ide të qartë, njohin faktin që probiotikët janë të mirë, por jo qartësisht përse. Vazhdoni të lexoni më poshtë sepse AgroWeb ka përgjigjet e duhura për ju.

Çfarë janë probiotikët dhe ç’rol luajnë ata?

Probiotikët janë një lloj bakteri i mirë që jeton brenda sistemit tretës dhe mban të balancuar florën intestinale. Ekuilibri i mikro organizmave prishet për arsye të caktuara, kryesisht falë stresit ose antibiotikëve. Në jetën e sotme, niveli i stresit që hasim çdo ditë është i lartë, ndërsa përdorimi i tepruar dhe abuzimi me antibiotikët është kthyer në fenomen. Miliona njerëz janë të prekur nga një sërë problemesh me tretjen. Probiotikët ndihmojnë për të barazpeshuar nivelin e mikro organizmave në florën intestinale në mënyrë që sistemi gastrointestinal të tresë ushqimin siç duhet; na mbrojnë nga patogjenët, pra nga mikroorganizmat e dëmshëm; detoksifikojnë organizmin nga përbërësit e dëmshëm; prodhojnë vitamina dhe përbërës të tjerë dhe ekuilibrojnë sistemin tonë imunitar.

7 Fakte Fantastike për Probiotikët

Probiotikët në organizmin tonë peshojnë më shumë se truri. Nëse një tru mesatar peshon rreth 1.4 kilogramë, atëherë një trup i shëndetshëm ka 1.6 kilogramë probiotikë.

Në trupin tonë gjenden 10 herë më shumë probiotikë se qeliza. Në një trup të shëndetshëm, gjenden 100 deri në 300 trilionë baktere të shëndetshme. Në të njëjtin trup gjenden 10 trilionë qeliza.

Probiotikët luftojnë konstipacionin, të ftohtin madje edhe kancerin. Është krejt e logjikshme që probiotikët luftojnë konstipacionin duke ekuilibruar sistemin tretës. Ajo që është më interesante është se studimet kanë treguar se një grup probiotikësh janë thelbësore për të luftuar viruset, të ftohtin, gripin, herpesin dhe ulçerat. Për më tepër, është zbuluar që probiotikët stimulojnë prodhimin e kimikateve kundër kancerit.

Probiotikët janë përgjegjës për 70% të reagimit tonë imunitar. Probiotikët stimulojnë çdo gjë, duke nisur nga qelizat imune të njohura si Qelizat T, deri tek qelizat e njohura si makrofag, që shkaktojnë një reagim të koordinuar imunitar të trupit tonë.

Probiotikët mund të ulin mungesën e tolerancës ndaj laktozës. Disa studime kanë treguar që probiotikët vijnë në ndihmë për të zvogëluar mungesën e tolerancës ndaj laktozës.

Duhet të konsumosh produkte me probiotikë në vend të vitaminave. Probiotikët prodhojnë një sasi të madhe vitaminash siç janë vitaminat A, K, B dhe një sërë acidesh yndyrore. Për më tepër probiotikët përpunojnë një sasi të madhe elementësh siç janë bakri, mangani, magnezi, kalciumi, hekuri, kaliumi, zinku, proteinat, yndyrnat, sheqernat, karbohidratet, dhe qumështin.

Probiotikët janë thelbësorë për shëndetin e foshnjeve dhe femrave. Foshnjat marrin dozën e tyre të parë të probiotikëve gjatë lindjes natyrale dhe nëpërmjet konsumimit të qumështit të gjirit. Kjo është krejtësisht jetësore për funksionimin e sistemit tretës të fëmijës dhe për të formuar sistemin imunitar. Probiotikët janë të domosdoshëm për femrat, sepse mbajnë sistemin riprodhues të fortë.

Pesë ushqimet e pasura me probiotikë që duhet t’i konsumoni

Kosi dhe produkte të tjera të bulmetit

Kosi i prodhuar përmes një proçesi sa më natyral fermentimi të qumështit është një nga burimet më të mira të probiotikëve, veçanërisht nëse prodhohet në mënyrë natyrale me qumësht dhie, nuk përmban ëmbëlsues artificial dhe është i pasur me disa forma probiotikësh.

Lakra turshi

Ky është një lajm i mirë për shqiptarët. Lakra e fermentuar dhe llojet e tjera të turshive,jo vetëm që janë jashtëzakonisht të pasura me vitamina A, B, C dhe E, por janë të mbushura me mikro organizma të shëndetshme.

Çokollata e zezë

Mund të tingëllojë e çuditshme, por çokollata e zezë e një cilësie të lartë përmban probiotikë. Këshilla e vetme që mund të kini parasysh është që ta konsumoni përpara ushqimit dhe jo si ëmbëlsirë. Ushqimet e pasura me probiotikë duhen konsumuar përpara çdo vakti.

Bananet dhe domatet

Edhe pse as bananet as domatet në të vërtetë nuk përmbajnë probiotikë, ato shkaktojnë shumëfishimin dhe lulëzimin e baktereve ekzistuese në sistemin tretës. Bananet dhe domatet përmirësojnë gjithashtu shëndetin e zorrëve.

Buka integrale

Nëse dëshironi të ruani ekuilibrin e florës intestinale, është e nevojshme të kufizoni dozën e ushqimeve që shkatërrojnë bakteret e shëndetshme. Buka e bardhë është një prej këtyre ushqimeve. Mos hezitoni të zgjidhni bukën integrale që përmban proteina dhe përbërës ushqimorë shtesë.

Probiotikët mund të konsiderohen pa drojë miqtë më të mirë të organizmit dhe mburoja më e mirë e sistemit imunitar. Nëse duam të ndihmojmë probiotikët në betejat e tyre të brendshme, atëherë duhet të konsumojmë ushqime që janë të pasura me këto baktere dhe ndihmojnë në shumëfishimin e tyre. /Agroweb

Article Logic
Execution time: 0.0038089752197266