INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Profilet/ Kush janë 4 kandidatët për Prokurorë të Përgjithshëm?

Profilet/ Kush janë 4 kandidatët për Prokurorë të Përgjithshëm?

Publikuar më: 10:39 03-05-2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ka shpallur zyrtarisht të mbyllur garën për Prokurorë të Përgjithshëm. Për këtë post garojnë 4 kandidatë mes të cilëve edhe Arta Marku që e ka drejtuar Prokurorinë e Përgjithshme me mandat të përkohshëm që prej dhjetorit të 2017-ës.
Po kush është Arta Marku?
Ajo ka mbaruar studimet e larta dhe Magjistraturën në Universitetin e Tiranës. Ka ushtruar detyrën e prokurores në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për 15 vjet. Më tej për rreth 7 vjet ka qenë drejtuese e Njësisë Hetimore për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin në Prokurorinë e Rrethit Shkodër, po ashtu dhe zv.drejtuese e kësaj prokurorie. Së fundmi dhe kryeprokurore e përkohëshme për më shumë se 1 vit.
Figurë e pastër të paktën nga filtrat e Vettingut rezulton dhe kandidatja e dytë për kryeprokurore, Fatjona Memçaj. Prokurorja e Apelit ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Gjithashtu ka mbaruar studimet për doktoraturë në universitetin ‘Middlesex’ Londër. Njihet si prokurorja që dënoi në Apel, Kastriot Ismailin.
Kandidati i tretë që pretendon postin e Prokurorit të Përgjithshëm është Olsian Çelaj. Prokurori pranë Krimeve të Rënda ka hetuar disa dosje sensitive në vend, njëra prej të cilave është dhe dosja “Xibraka”, ku një nga të hetuarit ishte edhe Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha.
Postin e prokurorit e pretendon dhe një avokat, Lulzim Alushaj. Ai mban titullin profesional “Avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë” të marrë në Itali. Ka kryer gjithashtu dhe studimet e ciklit master dhe doktoraturë në fushën e shkencave juridike.
Këto katër kandidatura tanimë janë në duart e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, institucion i cili në bazë të vlerësimit të kritereve do i rendis nga 1 në 4. Kjo listë me emrat e renditur i dorëzohet më pas Parlamentit, i cili përzgjedh me votë fituesin. Në rast se Parlamenti dështon KLP automatikisht emëron kandidatin e renditur i pari prej saj.

Article Logic
Execution time: 0.0034358501434326