INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Projekti i Qeverisë, ja cilët janë kategoritë e reja që përfitojnë banesa nga shteti

Projekti i Qeverisë, ja cilët janë kategoritë e reja që përfitojnë banesa nga shteti

Publikuar më: 08:01 22-02-2018

Në Parlamentin Shqiptar po shqyrtohet një nga nismat më të rëndësishme ligjore, ai për strehimin social. Pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të këtij ligji, mijëra familje, sipas mundësive ekonomike dhe disa kushteve të tjera, do të përfitojnë banesë nga shteti me kushte lehtësuese

Ndërkaq, deputetët në Komisionin Parlament për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, me anë të një raporti, kanë ndryshuar dhe shtuar kategoritë që përfitojnë banesa me kosto të ulët. Në kategorinë me përparësi janë përfshirë edhe punonjësit e shërbimit për mbrojtjen nga zjarri dhe të shpëtimit.

Ndërkaq, në krye të listës qëndrojnë personat me aftësi të kufizuara, individët me statusin e jetimit familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve, emigrantët e rikthyer, familjet e policëve të rënë në detyrë, punonjësit e FNSH, punonjësit e RENEA, viktimat e dhunës në familje, anëtarët e komunitetit rom etj.

Me përparësi do të jenë familjet që nuk disponojnë banesë në pronësi, familjet që banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje, familjet që kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore dhe familjet që humbasin banesën e tyre si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.

Komisioni, në raportin e miratuar, vendos një afat prej 12 muajsh për miratimin e akteve nënligjore, për të bërë të munduar zbatimin e ligjit për strehimin. Po ashtu, në raport sqarohet se fondi i parë që do të akordohet nga qeveria për ndërtimin e banesave të reja është 5 miliardë lekë.

Mënyra e financimit të fondit të strehimit do të jetë me fonde nga buxheti i shtetit, nga njësitë e qeverisjes vendore, edhe nga donatorët. Ndërkaq, janë përcaktuar gjashtë programe të ndryshme strehimi, konkretisht programi i banesave sociale me qira, programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri, programi i banesave me kosto të ulët, programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi, programi për krijimin e banesave të përkohshme dhe programi i banesave të specializuara.(huazuar nga Shqiptarja.com)

Article Logic
Execution time: 0.0038671493530273