Pranë tunelit të Kalimashit ka nisur protesta kundër vendosjes së taksës për Rrugën e Kombit.
Mësohet se situata është tensionuar menjëherë dhe protestuesit janë përplasur me forcat e policisë.
Protestuesit kanë goditur me gurë punonjësit e policisë ndërsa tentojnë të godasin me gurë edhe sportelet ku do të paguhet taksa.
Qytetarë dhe tregtarë të shumtë kanë mbyllur qepenat e dyqaneve për t’iu bashkuar protestës në Tunelin e Kalimashit.
Protesta është thirrur nga aktivistë dhe qytetarë të Kukësit, të cilët përmes protestës kërkojnë heqjen e taksës rrugore.
“Ora 11:30 te tuneli i Kalimashit mbahet protestë qytetare, pa ndikime partiake për t’i thënë ndal taksimit të padrejtë të Rrugës së Kombit”, thuhet në njoftim.
Mësohet se shtetas nga Kosova janë nisur për të marrë pjesë në këtë protestë, por policia ka bllokuar automjetet e tyre.
TAKSA E “RRUGËS SË KOMBIT”
Klasa 1/ Motorët – 2.5 Euro
Klasa 2/ Veturat – 5 Euro
Klasa 3/ Autobus & kamionçina – 11.2 Euro
Klasa 4/ Kamion i mesëm – 16.2 Euro
Klasa 5/ Kamion i rëndë – 22.5 Euro