Policia e Shtetit ka proceduar penalisht 9 persona për protestën e djeshme për Tetarin Kombëtar, mes tyre kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhin.
Policia thekson se procedimi i tyre është bërë në lidhjen me protestën e djeshme që sipas saj ishte e paligjshme.
Krahas Bashës dhe Kryemadhit, në listën e të proceduarave për protestën e djeshme janë edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe sekretari i çështjeve ligjore pranë PD-së, Çlirim Gjata.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar në Bulevardin e Kombit, proceduan penalisht në gjendje të lirë 9 shtetas. Procedimi ndaj tyre nisi pasi, më datë 18 maj 2020, rreth orës 16:30, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet”, njofton policia.
Procedimit nuk i kanë shpëtuar as artistët. Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati raporton se janë proceduar gjithashtu artistët si Robert Budina, Neritan Liçaj, Artan Manushaqe, Adriana Kalaj dhe këngëtari Arkimend Lushak, i njohur ndryshe si “Stresi”.
“Shërbimet e Policisë kanë proceduar penalisht, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, shtetasit: R. B., N. L., A. K., A. M., L. B., M. K., Ç. Gj., F. M. dhe A. L. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.