Partia Socialiste po zhvillon një takim me të rinjtë në qarkun e Tiranës që votojnë për herë të parë.
Megjithëse i papërfunduar, sheshi “Skënderbej” u ‘inagurua’ sot me mitingun e parë politik. Mijëra simpatizantë të Partisë Socialiste janë të pranishëm, ndërsa e gjitha ngjan si një sfidë ndaj opozitës shqiptare që vetëm pak kilometra më larg ndodhet çadra e protestës së PD-së që shpesh është ironizuar nga radhët e socialistëve për prani të pakët të protestuesve.
Tahiri ka deklaruar se më 18 qershor “ose e gjithë Shqipëria futet në çadër ose të gjithë shkojnë në zgjedhje për t’i dhënë fitoren PS-së e Edi Ramës”.
Fjala e Saimir Tahirit:
“Ata duan të na bëjnë të dukemi njëlloj, thonë unë jam trafikant droge, Rama trafikant, ambasadori i SHBA mafioz, ajo e BE gjithashtu por ata nuk kanë kuptuar një gjë: populli ka sy e veshë, kupton, ndaj fitorja është në dorën tuaj, jepini dorën njëri -tjetrit për Shqipërinë që duam.
Lloj-lloj idioti mund të qeverisë nesër nëse ju e lini vendin bosh, lloj-lloj injoranti mund të qeverisë nesër nëse nuk ngulni këmbë për Shqipërinë që duam, s’ka rëndësi kutia e televizorit ka ajo e zgjedhjeve.
PS ka një traditë, ne brenda flasim, bisedojmë, diskutojmë për të gjetur rrugën e duhur por sot ka rëndësi vetëm një gjë, jeta e cdo shqiptari në çdo cep të Shqipërisë, të bëjmë shtet, ekonomi, të qendrojmë pranë çdo qytetari se 18 qershori është aty, o do shkojmë të gjithë bashkë në çadër o do shkojmë të gjithë bashkë në zgjedhje për të fituar PS e Edi Rama.”
Mes shumë politikanëve që përshëndetën fushatin ishte edhe deputeti Pandeli Majko, i cili u bëri thirrje të gjithë të rinjve të vendosin fatin e tyre në zgjedhjet e 18 qershorit.
Në fjalën e tij Majko tha, “Ne nuk jemi ëngjëj, dhe nuk e kemi thënë asnjëherë këtë. Ne premtojmë që nuk do i përsërisim gabimet por do i përmiresojmë ato. Nuk ju premtojmë që do iu çojmë në plazh por premtojme të çojmë shqipërinë në BE.”
Gjithashtu ai hodhi akuza ndaj Partisë Demokratike duke thënë se ajo po i mban shqiptarët të ngujuar në çadër në vend që tu japë mundësinë të hedhin hapa drejt BE. “Turp për për partinë qe u krijua nga studetët dhe që premtoi se do ta bëjë shqipërinë si Europe, ndërsa sot dalin kundër BE”.
I pranishëm në takimin me të rinjtë në Tiranë është edhe kryetari i PS, njëherësh kryeministër i vendit, Edi Rama.
Ky i fundit ka folur ashpër kundër ropozitës, duke thënë se kanë mbjellur çadrën në zemër të Shqipërisë, për t’iu zënë rrugën qytetarëve. Më tej, ai tha PD edhe në vitet ’90 e kishte mbushur vendin me çadra, kudo në çdo rrugë të Tiranës.
“Ata që janë aty në çadër, e kishin mbushur gjithë Tiranën me çadra, kishin mbjellë vetëm çadra, kishin prerë pemët dhe kishin shkatërruar gjithçka. I kishin futur të gjithë në çadrat e Xhaferrit, Sudes e Saliut. Kishin pushtuar çdo loj hapësire të përbashkët, duke iu thënë njerëzve “ne jemi këtu, këtu është tokë e xanun dhe mos të guxojë njeri të mendojë se Tirana mund të bëhet ndonjëherë qyteti juaj i përbashkët”. Na u desh t’i shkulim të gjitha ato çadra. Sot e kanë mbjellë çadrën mu në zemër të qytetit. Duan t’i zënë Shqipërisë rrugën, duan t’iu zënë ju dhe prindërve tuaj rrugën, sepse e vërteta është që ata nuk kanë fituar kurrë përveçse kur ne kemi qenë të ndarë. Kurrë nuk kanë fituar. Bëri zullum në Ministrinë e Brendshme, u la pas 4 të vrarë, aty ku kanë ngulur çadrën. Ndërsa bashkinë e ktheu në konvikt. Ne do ta çlirojmë Shqipërinë nga kthetrat e të korruptuarve. Çadra është bërë si Estrada e Ballshit në kohën e qepës, merr nëpër gojë gjithë dynjanë. Vetëm ata 200 burra të ngujuar atje, jeni mos e pyet, qelibar. Janë të kulluar, të pastër. Të gjithë të tjerët janë një mafie e madhe ndërkombëtare. Jeni të mbaruar”, tha Rama.