Partia Socialiste nisi sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit. Gjatë fjalës së tij, nënkryetari i PS-së, Taulant Balla u shpreh se PS-ja do fitojë të 61 bashkitë e vendit për të treguar se si qeveriset vendi.
“Nuk është e rastësishme që e hapim sot fushatën në 1 Qershor, Ditën e Fëmijëve. Jemi të gjithë bashkë për të shkuar deri në 30 Qershor, ditën kur fiton e ardhmja dhe Kushtetuta dhe fëmijët tanë. Ne kemi qeverisur me sukses në 35 bashki të vendit dhe në 30 Qershor do të marrim përgjegjësi të qeverisim edhe në ato 25 bashki ku s’patëm mundësi, duke filluar me Shkodrën, Lezhën, Beratin e Gjirokastrën. Ky 1 Qershor na gjen me një lajm shumë të gëzueshëm: KE rekomandoi pa asnjë kusht hapjen e negociatave për Shqipërinë, e unë sot shpreh gatishmërinë që jo vetëm fillojmë bisedimet por do jemi në qeveri edhe kur të marrim datën për anëtarësim në BE”,- tha Balla
Ai nuk nguroi t’i japë edhe një mesazh opozitarëve që thonë se nuk do ketë zgjedhje më 30 Qershor.
“Dy fjalë për ata që betohen e përbetohen nga mëngjesi deri në darkë se nuk do lejojnë të kryhen zgjedhjet: Është krim nga kushdo që e krye. Nuk besoj se ka ndonjë që do të marrë veten në qarë më 30 qershor. Ne jemi partia që bëmë shtet e bëri Shqipërinë me Kushtetutë dhe do të qeverisë akoma”.