INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dekriminalizimi: PS sulm Prokurorisë dhe kreut të KQZ

Dekriminalizimi: PS sulm Prokurorisë dhe kreut të KQZ

Publikuar më: 10:29 03-11-2017

Partia Socialiste akuzoi Prokurorinë e Përgjithshme dhe kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se kanë dalë mbi ligjin duke mos i hequr mandatin kryebashkiakut demokrat të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, i dënuar me 2 vjet burg në Itali për vjedhje. PS kishte një mesazh të drejtpërdrejtë edhe për kreun e PD Lulzim Basha si dhe kryetaren e LSI Monika Kryemadhi.
Reagimi i PS:
“Reagim i Sekretarit të Përgjithshëm të PS: KQZ ditën e sotme do të marrë në shqyrtim Vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për rezultatet e verifikimit të Agron Faslli Kapllanaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 "PËR GARANTIMIN E INTEGRITETIT TË PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE", të njohur si ligji “për dekriminalizimin”.
Konstatojmë se në kundërshtim flagrant me ligjin, Prokuroria, ndonëse në vendimin e saj e pranon se subjekti deklarues Agron Kapllanaj përfshihet në fushën e veprimit të nenit 2, gërma c, të ligjit 138/2015 … pasi … me vendim të datës 07.04.2003, i cili ka marrë formë të prerë në datë 17.02.2004, z. Agron Kapllanaj është dënuar me 2 vjet heqje lirie dhe 200 euro gjobë për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes”, si përfundim vendos të mbyllë të dy sytë për këtë kryebashkiak përfaqësues të Partisë Demokratike, duke i falur atij qëndrimin në detyrë, me arsyetimin se “ndalimi 10-vjeçar i parashikuar nga ligji për dekriminalizimin në lidhje me këtë masë dënimi ka përfunduar tashmë prej 1 viti” (në 16.02.2016). Ndërsa vepron kështu, Prokuroria harron apo bën sikur harron se për shkak të natyrës dhe qëllimit të posaçëm të ligjit për dekriminalizimin, ligjvënësi vendosi që t’i japë atij fuqi prapavepruese, ndaj edhe koha prej nga kur duhet të fillojë përllogaritja nuk është dita kur Prokuroria përfundon verifikimin e saj, por koha kur subjekti që verifikohet ka marrë mandatin, pra këtu e dy vite më parë, në qershor 2015. Rrjedhimisht, mandati i Kapllanaj tashmë dukshëm rezulton të jetë në kushtet e pavlefshmërisë absolute, pasi është subjekt i ndëshkueshëm prej ligjit “për dekriminalizimin”.
Si të mos mjaftonte “zemërmirësia” e paligjshme, sepse ligji nuk i ka dhënë tagër Prokurorisë të bëjë interpretimin apo të falë ndonjë subjekt, dhe si të mos mjaftojë as standardi i dyfishtë i Prokurorisë, kësaj i shtohet edhe shpërdorimi i detyrës nga ana e Kryetarit të KQZ (përfaqësues i opozitës), i cili ndonëse e ka pasur në zyrën e tij këtë informacion që në datën 16.10.2017, me urdhër të Lulzim Bashës vendosi të mos respektojë detyrimin ligjor për ta përcjellë atë në mbledhje publike të institucionit brenda 10 ditëve, sikundër e detyron neni 10 i ligjit nr.138/2015 “për dekriminalizimin”.
U desh iniciativa e dy anëtarëve të KQZ, të cilët kanë kërkuar thirrjen e mbledhjes së KQZ përmes një procedure të pazakontë, që më në fund çështja të shqyrtohet sot në KQZ.
Le të shpresojmë që sot, të shtatë anëtarët e KQZ do të jenë lartësinë që u imponon detyra dhe ligji për të vendosur përfundimin e mandatit të këtij subjekti, i cili përtej çdo konsiderate njerëzore, nuk meriton më të qëndrojë në detyrën e lartë të Kryebashkiakut të Mallakastrës.
Partia Demokratike, e cila gjoja përbetohet si “luftëtare” e dekriminalizimit të politikës, përmes këtij veprimi të njeriut të përzgjedhur prej saj në krye të KQZ, humbi një tjetër rast për të treguar se është e angazhuar seriozisht dhe pa dallime politike në këtë betejë.
Ne, dhe jam i sigurt se edhe partnerët e Shqipërisë do ta ndjekim me vëmendje vendimmarrjen e sotme të KQZ për vijimin e zbatimit me përpikmëri të ligjit të “dekriminalizimit”.
I bëjmë thirrje anëtarëve të këtij institucioni të bëjnë detyrën dhe të respektojnë ligjin. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi të mos ushtrojnë presion mbi anëtarët e KQZ, sepse ky është ndikim i paligjshëm. Vendimmarrja e KQZ duhet t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja në Bashkinë Mallakastër”.

Article Logic
Execution time: 0.0039598941802979