Gjatë takimit me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kreu i PAA, Agron Duka është larguar për të takuar kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Disa media në vend raportuan se Duka braktisi mbledhjen e Bashës për të shkuar te në mbledhjen e thirrur nga kreu i Kuvendit Meta, por vetë kreu i PAA ka sqaruar të vërtetën për CityNews.
“Jam larguar në momentin e fundit të mbledhjes me kryedemokratin Basha, pasi më parë kisha komunikuar me kreun e Kuvendit, Ilir Meta për mbledhjen me partitë parlamentare. Në momentin e komunikimit tim nuk kishte asnjë vendim në lidhje me aksionin dhe vendimin opozitar. Prandaj për shkak të bisedës së mëparshme, ashtu siç dhe kisha konfirmuar, shkova dhe takova kreun e Kuvendit, por nuk mora pjesë në mbledhjen e partive parlamentare. Thjesht dhe vetëm takova kreun e Kuvendit, duke i thënë se si pjesë e Koalicionit Opozitar dhe vendimit të sapo marrë nuk mund të jem pjesë e kësaj mbledhjeje”, sqaroi Duka.
Kreu i PAA hodhi poshtë të gjitha aludimet mediatike se ka braktisur Koalicionin Opozitar, por tha se ai i përket opozitës dhe qëndrimeve të saj në mënyrë të palëkundur.