Reperi i njohur Mozzik duket se po përballet me disa telashe së fundmi, teksa mediat raportojnë se ai ka përfunduar në Polici dy ditë më parë, pasi akuzohet se ka kërcënuar një person tjetër me armë zjarri. Sipas gazetës "Sinjali", Gramoz Aliu, të cilin të gjithë e njohim si Mozzik, është paraqitur në komisariatin e Policisë në Ferizaj më 16 maj dhe është marrë në pyetje nga autoritetet.
Ai dyshohet se ka kërcënuar me armë një person, në të njejtn ditën, në lagjen Panorama të qytetit, aty ku edhe banon. Sipas informacioneve të para, Mozzik ka debatuar dhe ka kryer kanosjen me armë zjarri në afërsi të shtëpisë së viktimës, si pasojë e një mosmarrëveshje momentale që kanë pasur me njëri – tjetrin.
Në deklaratën e tij para hetuesve, lidhur me denoncimin që është bërë kundër tij, artisti ka mohuar se e ka kërcënuar me armë personin në fjalë, duke shtuar se armën nuk e ka ekspozuar fare. Megjithatë, raportohet se për shkak të dyshimeve të ngritura, është urdhëruar sekuestrimi i armës që ai posedon, të cilën Mozzik e ka me leje. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar hetimin e rastit ndaj reperit në drejtim të dy veprave penale “Kanosje” dhe “Përdorim i armës”.
Gjithsesi pritet një reagim nga reperi në lidhje me këtë rast ose nga avokati i tij, për të sqaruar më tej situatën.