INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pse marrëdhëniet e dashurisë janë shndërruar në lidhje interesi?

Pse marrëdhëniet e dashurisë janë shndërruar në lidhje interesi?

Publikuar më: 14:19 06-07-2017

Në kohën kur shoqëria ka ndryshuar, janë ndryshuar edhe femrat, të cilat nuk e konsiderojnë më martesën si pika kulmore e jetës së tyre.

Çifte e sotme kërkojnë përvojën, ndjenjat dhe personin me të cilin të kalojnë një jetë të qetë e të lumtur, kërkojnë një lidhje jo domosdshmërisht të vulosur në gjendjen civile. Megjithatë, ka ende çifte të rinjsh që e shohin lidhjen e dashurisë si një projekt drejt së ardhmes, ku një rol shumë të madh luajnë paratë e njërit prej partnerëve dhe statusi social në të cilin bëjnë pjesë.

Po dëgjojmë shpesh që marrëdhëniet e dashurisë janë shndërruar në lidhje materialiste dhe interesi. Para viteve ’90 martesat bëheshin për arsye transferimi nga fshati në qytet, për të “pastruar” emrin, ku një familje e deklasuar bashkohej me një tjetër komuniste, e kështu lidhja kishte në bazë të saj interesin. Por, a mendoni se paratë ndikojnë pak a shumë në një çift të rinjsh të dashuruar? Shumë kohë më parë, kur martesat bëheshin me mblesëri, shtresat e larta sociale mendonin se paratë, dhe akoma më shumë pushteti ishin themeli bazë i çiftit dhe i fëmijëve që do të kishin më pas. Ndaj prindërit vendosnin për çiftin që më pas do të lidhej në martesë dhe i detyronin të pranonin për të mirën e tyre dhe për të mirën e gjithë familjes së origjinës. Në kohën tonë ndonjë konflikt mes fëmijëve dhe prindërve vazhdon të ekzistojë rreth vendimmarrjes për t’u fejuar e më pas për t’u martuar me të dashurin, por liria e veprimit dhe zgjedhja e partnerit është baza e një çifti.

Edhe pse dëgjojmë shumë pak për këtë temë, vetë të rinjtë i japin rëndësi sigurisë që ofrojnë paratë dhe konsiderojnë se pasuria dhe mirëqenia që vjen pas është thelbësore. Ka shumë të rinj që mendojnë kështu, më shumë nga sa besojmë. Në periudha krizash financiare vëmendja ndaj parave bëhet më e madhe për çështje edhe mbijetese, përveç sigurisë psikologjike. Ka femra dhe meshkuj që synojnë kontratën paramartesore për avantazhe ekonomike në radhë të parë, pastaj për dëshira të një tjetër lloji: tërheqje seksuale, moral, ndershmëri, karakter i denjë. Tradicionalisht, femrat për arsye shpesh sociale zgjidhnin të mos punonin jashtë shtëpisë, por të kishin vetëm funksion përkujdesës në shtëpi e familje, synonin të martoheshin me një burrë me mjaftueshëm para dhe emër të mirë në shoqëri. Pavarësia e fëmrave, për fat, ka sjellë një ekuilibër mes femrave dhe meshkujve. Shpesh është burri që kërkon një partnere më të pasur. Por a është plotësisht e pavarur nga paratë një femër dhe sa e joshin lekët e tjetrit?

Sigurisht, një përgjigjen e parë e gjejmë teksa mendojmë për personalitetin e saj: është e sigurt, me besim, e pavarur, me orientim të veçantë kulturor. Kur marrëdhënia në çift fillon të lëkundet, ndoshta pas disa vjetësh, problemi ekonomik i partnerit shpesh na vë në lëvizje. Disa femrave u mungojnë lulet e një herë e një kohe, pastaj disa dhurata specifike, pastaj bujaria që ekzistonte në fillimet e lidhjes, dhe në fund, paratë shndërrohen në një arsye për t’u grindur. Mendoj se çështja e parave dhe të mirave materiale ëhtë e kuptueshme dhe tërheqja pas tyre lidhet me idenë e sigurisë dhe të qenit të lirë për të zgjedhur dhe realizuar dëshira të tjera. Për shembull, në këto kohë e dimë që papunësia e çon njërin nga partnerët të jetë më pak romantik krahasuar me kohë më parë, kur ekzistonte një logjikë sociale më koherente se sa sot. Pa punë nuk mund të programohet jeta dhe nuk ka asgjë për t’u habitur se kur mungojnë paratë mungon dhe harmonia në çift. Me fjalë të tjera, varfëria na bën të jemi më realistë dhe shpesh të mos kemi lirinë për të dashuruar, na bën të mos dimë të interpretojmë një person vetëm për atë që vlen, por duhet të konsiderojmë edhe që ai është pa lekë. E kështu merr udhë një lidhje pa pasur në bazë dashurinë dhe ndjenjat e pastra e të sinqerta. Lidhja shndërrohet në një kontratë dhe objektiv drejt mirëqenies vetjake. Kjo është njëra anë e medaljes.

Nga ana tjetër, çiftet sot janë më të pavarur nga projektet e prindërve të tyre si dhe më të çlirët nga financat. Edhe pse shumica e të rinjve sot në Shqipëri jetojnë ende në familjen e madhe, duket se kushtëzimet që vijnë nga prindërit nuk kanë më aq peshë sa më parë. Gjithnjë e më pak po dëgjojmë për martesat me mblesëri ku vajza duhet të martohet sepse djali është me të ardhura të mira. Si meshkujt edhe femrat punojnë dhe e zhvillojnë jetën e tyre përtej mureve të shtëpisë. Edhe në familje, bashkëpunojnë me njëri-tjetrit, ndihmojnë në punët e shtëpisë si dhe në ndarjen e detyrimeve financiare. Me pak fjalë: Dje çiftet martoheshin edhe për t’u sistemuar, për interes dhe rrinin të martuar përgjithnjë, duronin njëri-tjetrin edhe pse nuk shkonin mirë: secili kishte rolin e tij fiks. Femra në shtëpi, nënë e bashkëshorte, kujdestarja e shtëpisë. Ndërsa mashkulli punonte, sfilitej, pa ndihmuar në familje. Ndoshta ekzistonin dhe tradhtitë, por gjithmonë fshehtas. Sot: çiftet martohen me dashuri dhe pothuajse asnjëherë për interes, por çiftet grinden haptas, janë më të lirë të bashkëbisedojnë, por janë gjithnjë e më sipërfaqësorë e egoistë. E durojnë gjithnjë e më pak njëri-tjetrin, por janë më të sinqertë. I lejojnë vetes më shumë kënaqësi, bëjnë më pak sakrifica dhe rolet nuk janë më fikse. Punon gruaja, punon dhe burri, fëmijët janë të të dyve, bashkëpunojnë më shumë në shtëpi, por largohen më shumë nga njëri-tjetri, pikërisht, sepse durojnë më pak.

Article Logic
Execution time: 0.0038051605224609