INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pse shqiptarët nuk dinë të kënaqen…

Pse shqiptarët nuk dinë të kënaqen…

Publikuar më: 12:55 31-05-2016

Nga Kelvi Kadilli

Ne Tiranën tonë të bukur ka plot bare dhe club-e interesante dhe shumë më tepër luksoze sesa shumë club-e nëpër vendet fqinje. Nga eksperienca ime mund t’ju them se club-et që kam parë nëpër botë janë interesante por asnjëherë me investime kaq të mëdha sa në Shqipëri. Ok, tani do të ketë shumë nga ju që po mendojnë, “seriozisht e ka ky? Ka nëpër botë super club-e të bukura që nuk krahasohen fare!” E di, ka edhe përjashtime! Por unë një pyetje kam… Kur ju shkuat tek ai club-i fanstastik çfarë bëtë gjatë gjithë kohës? Jam i sigurt që keni pirë dhe keni kërcyer pafund gjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit dhe të mos them që keni bërë edhe after party. Po kur dilni nëpër club-et e Tiranës çfarë bëni? Rrini si dru!!! Nuk e kuptoj dot se si mund të rrijë femra një pasdite të tërë për tu bërë gati për të dalë një të shtunë mbrëma në club dhe kur shkon atje rri si mumje. Nga ana tjetër, meshkujt kur dalin jashtë kufijve të vendit, kanë tendencën të lënë nam kudo që shkojnë sepse si njeh njeri, kurse në Tiranë bëjnë si tipa seriozë se “s’ka lezet”. Sinqerisht nuk mund të kuptoj dot si nuk plasni nga brenda kur rrini si hu në një vend që supozohet të argëtoheni dhe të shpenzoni energji. Por kjo nuk është pjesa më e bukur. Nëse unë me shoqërinë time shkoj në një club në Tiranë dhe filloj kërcej për qejfin tim pas disa gotave alkool, këta prototipat që përmenda më sipër të shohin shtrembër dhe madje ndonjëherë të venë edhe në siklet. Ata mendojnë me vete, “Seriozisht e kanë këta?”  Përgjigja do të ishte: “Të na falni shumë por ne sot vendosëm të bëjmë figurën e budallenjve pasi s’kemi dalë as për t’u “shitur” as për të “blerë” ndonjë copë mishi. Na i bëni hallall!” Une vërtet mendoj që shumica e femrave në Tiranë dalin club-eve me një qëllim të caktuar: “Të gjejnë burrë”. Prandaj dhe rrinë të kontraktuara që të duken sa më serioze dhe të “ndershme” në sytë e meshkujve vërdallë… Ah se u ngatërrova, jo meshkujve vërdallë por atyre tek zona vip. Këta të tjerët poshtë nuk ja vlejnë kurse ata tek zona vip nëpër lokalet shqiptare të japin shampanjë dhe në fund të natës ta thyejnë shishen kokës! Kjo nuk është diçka negative… përkundrazi, shumë vajzave i pëlqen kjo gjë! Në fund të fundit aty tregohet burrëria…

E lëmë pas jetën e natës dhe kalojmë tek jeta e ditës. Baret në Tiranë janë të tejmbushur me njerëz që në orët e para të mëngjesit. Lind pyetja: “Kanë punë këta njerëz?” Përgjigja është: “Jo”. Puna e tyre është të prishin lekët e mamit edhe babit dhe të “kapin” ndonjë “peshk” të madh që të bëjnë pushimet e verës në ndonjë vend ku bëhen foto të bukura për instagram. Po flas pa dallim gjinie! Për të mos thënë që meshkujt janë bërë me keq se femrat. Gjithsesi mendoj se në jetë ka prioritete. Këtë fundjave isha në plazh me disa miq. Mikesha ime e ka kaluar të gjithë fundjavën me celular në dorë duke bërë SnapChat. Një tjetër shoqe fjeti gjithë të shtunën dhe të dielën mori rreze dielli me kufje në vesh. Unë u ndjeva sikur kisha dalë për hall dhe nuk pati asnjë moment që ne të bënim një muhabet normal. Ato pak herë që u fol ishte për të dhënë porosinë në restorant apo në bar. Në fund u ankova dhe i thashë: “O njerëz, si mund të jeni kaq pasivë dhe të humbni kohën në këtë lloj forme. Kemi dy ditë që rrimë kot dhe vetëm hamë dhe bëjmë proçese biologjike”. Ato më thanë që kam të drejtë… Jam i sigurt që edhe shumë nga ju që po lexoni njihni njerëz që jetojnë vetëm për Snap Chat duke harruar se aty rrotull kanë një det ku mund të hidhen me kokë dhe të notojnë apo gjatë natës në një club, kanë një super mashkull që po i sheh nga banaku dhe jo nga zona vip, por ato/ata janë shumë “busy” duke promovuar veten në Snap dhe Instagram.

Së fundmi mora vesh që Adele i bëri namin dikujt që po e filmonte gjithë kohës gjatë koncertit të saj. Këngëtarja i tha: “Ja ku më ke, më shijo përballë teje dhe mjaft me atë telefon pasi ka njerëz që do të vdisnin të ishin në vendin tënd për të shijuar energjinë e një koncerti live.” Mësohuni të shijoni jetën njerëz dhe mjaft u shitët në sytë e të tjerëve sikur keni një jetë interesante nga Snap apo Insta. Nëse vërtet do të kishit një jetë kaq interesante nuk do të kishit kohë as për njërën as për tjetrën! 

Article Logic
Execution time: 0.0038700103759766