Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një mbledhje live të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku prezantoi projektin e teatrit të ri kombëtar tha se ai do të ishte 6 herë më i madhe se godina që u shemb dhe me të gjithë parametrat më modernë.
Teksa theksoi se kjo kishte qenë një fundjavë e vështirë për të gjithë, e sidomos atë vetë, që siç tha ishte bërë pre e gjuetisë së shtrigave dhe linçimit, kryabashkiaku i Tiranës tha se kjo ka ndodhur me çdo punë ta bashkisë dhe se situata është e njëjtë me çfarë ndodhi tek ‘Astiri’.
“Nuk është e lehtë të zgjohesh në mëngjes e të lexosh një mijë mallkime se si duhet të te vdesë djali, por ky nivel kaq i ulët konfirmon atë që unë kam thënë prej kohësh; që këta nuk janë material teatri. Këta janë njerëz që nuk kanë shkelur kurrë në teatër. Ishte një vendim i vështirë, por i drejtë”, tha kryebashkiaku.
Z. Veliaj prezantoi në vija të përgjithshme strukturën e godinës së teatrit të ri që sipas tij do të ketë një sipërfaqe prej 8930 metra katrorë, nga 1250 metra katrorë që kishte në hipotekë teatri i vjetër.
“Për pjesën e zonës artistike do kemi katër auditorë nga të cilët 1 është auditor i madh, salla qendrore me 650 vende, 750 metra katrorë, një blackbox, salla më të vogla, njëra me 150 vende dhe një tjetër me 340 vende, një auditor i hapur në tarracë, si tek Amfiteatri tek Liqeni, me 380 vende. Skena do jetë 630 m/katrorë, ambiente ndihmëse 520 / katrorë dhe do të kalojmë nga situata kur aktorët zhvisheshin në korridor në një situatë kur mund ta bëjnë këtë në mënyrë të qytetëruar.
Ambiente ndihmëse për skenën 1735 m/katrorë. Do të ketë një shesh të mbuluar. Duke pasur formë fiongoje, sheshi poshtë saj mund të përdoret si shesh në kohë me shi. Do ketë një zonë publike, 450 m katrorë, katerig, ambiente të përbashkëta, 855 m/katrorë, depo 300 m katrorë dhe hapësirë për administratën”, shpjegoi kreu i bashkisë.
Z. Veliaj shpjegoi se pse godina e vjetër me strukturën dhe materialin që kishte nuk mund të rikonstruktohej në parametrat bashkëkohore.
“Nuk mundej sepse nuk i kishte përmasat e duhura për të pasur xhepat apo prapaskenat siç quhen. Me shtesat dhe arnat që kishte pësuar gjatë viteve nuk kishte më hapësirës së ku mund të zgjerohej. Gjatë shembjes së tij nuk gjetëm asnjë gramë beton apo çelik. Teatri ishte ndërtuar si një godinë e përkohshme me materiale të papërshtatshme për t’u rikonstruktuar”, - tha kryebashkiaku, teksa shtoi se godina e kishte tejkaluar moshën dhe se teatri i ri do ishte një xhevahir.
Një nga pyetjet më të shpeshta që bëhet nga qytetarët nëpër rrjete sociale, por edhe nga protestuesit në sheshin ku ndodhej godina e Teatrit Kombëtar, është “pse Teatri u shemb natën?”. Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh:
“Konflikti mbi teatrin eskaloi kur politika vendosi të përfshihej. Ne gjykuam që do të ishte e rrezikshme për protestusit nëse Teatri do të prishej në çdo moment të ditës. Për të respektuar vendimin e këtij populli që ka votuar këtë bashki dhe qeveri, të këtij Këshilli Bashkiak që me 60 vota unanime mori këtë vendim, të 99% të artistëve, zgjodhëm momentin kur mund të respektohej vendimi i shumicës me riskun më të vogël ndaj pakicës. Kjo është arsyeja pse bëmë atë ndërhyrje në atë orë dhe më vjen mirë që nuk patëm njeri të lënduar.”