Paris Saint Germain ka vënë në shënjestër një nga yjet e sezonit të shkuar, Kylian Mbappe.
Bosi i parizienëve, El Tani, duket se nuk ka ndërmend që të kursehet as për sulmuesin e Monaco, që së bashku me Neymar dhe Edinson Cavani do të bënin një treshe ëndrrash për formacionin e trajnerit Emery.
Sipas mediave franceze, mendohet se paraprakisht është arritur një marrëveshje me sulmuesin, ndërsa parizienët janë gati të arrijnë në shifrën e 180 milionë eurove për të siguruar kartonin nga klubi i principatës.
Orët e fundit në Francë është sinjalizuar një takim mes menaxherit të PSG, Henrique me Jorge Mendes, agjenti i famshëm i transferimeve që është njëkohësisht edhe këshilltari i Monaco. Sipas të njëjtave burime, mësohet se është parashtruar oferta e parë nga klubi parizien për sulmuesin francez, ndërkohë që në garë për të pritet të përfshihet edhe Real Madrid.