INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Psikiatërit me ''pikatore'', shëndeti mendor i shqiptarëve përkeqësohet

Psikiatërit me ''pikatore'', shëndeti mendor i shqiptarëve përkeqësohet

Publikuar më: 10:08 19-08-2019

Në vendin tonë vitet e fundit janë rritur të sëmurët mendorë, aq shumë sa mjekët e pakët psikiatër nuk po i përballojnë dot.
Shqipëria renditet e fundit në Europë për numrin e mjekëve të specializuar në psikiatri.
Sipas INSTAT në të gjithë Shqipërinë ka vetëm 25 të tillë të specializuar dhe shumë detyra të tyre i kryejnë dhe mjekët e familjes edhe pse ata nuk kanë njohuri të mjaftueshme për të ndihmuar këtë kategori të sëmurësh.
Pra i bie që për 100 mijë banorë është vetëm një mjek psikiatër.
INSTAT gjithashtu raporton se 60-70% e të rriturve në Shqipëri kanë përjetuar sëmundje si depresioni, ankthi apo dhe çrregullime të tjera mendore.
Të dhënat e INSTAT të publikuara në raportin Treguesit e Shëndetit Publik, tregojnë se numri i shtretërve në shërbimin spitalor të specializuar për shëndetin mendor është 635. Ndërkohë në këtë shërbim spitalor të specializuar punon një numër i kufizuar mjekësh.
Pas Shqipërisë, Turqia renditet e dyta në Europë për nga numri i ulët i mjekëve psikatër. Bazuar në të dhënat e Eurostat mbi numrin e mjekëve specializantë dhe popullsinë e secilit shtet, teksa tek ne ka 1 psikiatër për 100 mijë banorë, në Turqi ka 5. Në vend të tretë renditet Bullgaria me 8 mjekë, Maqedonia e Veriut dhe Polonia me 9, Malta dhe Spanja me 10 psikiatër.
Numri më i lartë i mjekëve psikiatër vihet re në vendet me mirëqenie të lartë. Kështu rekordin për numrin më të lartë të tyre e mban Zvicra, ku ka 51 mjekë psikiatër për 100 mijë banorë.

Article Logic
Execution time: 0.003547191619873