INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Publikohen rregullat e reja për peshkim

Publikohen rregullat e reja për peshkim

Publikuar më: 09:33 17-12-2017

Personat që duan të ushtrojnë të drejtën e peshkimit në Republikën e Shqipërisë, duhet të ndjekin procedurat e përcaktuara në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave. Kështu qeveria miratoi së fundmi disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.712, datë 13.7.2013, “Për përcaktimin e procedurave të konkurrimit publik për të drejtën e peshkimit në ujërat e brendshme të RSH.”

Konkretisht, në vendimin e Këshillit të Ministrave bëhen këto ndryshime ku thuhet:

Numri i lejeve të peshkimit në zonat e bashkëmenaxhimit përcaktohet në planin e bashkëmenaxhimit. Ministri përgjegjës, pas konsultimit paraprak me institucionet shkencore të specializuara të fushës, përcakton numrin e lejeve dhe llojet e caktuara të peshkimit.

Në kategoritë ujore ku nuk funksionojnë organizatat për menaxhimin e peshkimit (OMP-të), subjektet e interesuara për zhvillimin e aktivitetit të peshkimit paraqesin në ministri një plan-biznes të plotë për zhvillimin e veprimtarisë së synuar, duke përfshirë të dhëna personale të subjektit si, NIPT-i, ID-ja, numri i kontaktit, si dhe të dhëna për nivelin e investimit e të punësimit, duke konsideruar statusin mjedisor të zonës”, thuhet në vendim.

Më tej në ndryshimet e Vendimit të Këshillit të Ministrave thuhet se subjektet e interesuara, që dëshirojnë të ushtrojnë veprimtarinë e peshkimit në ujërat e brendshme, duhet të pajisen me leje peshkimi për ujërat e brendshme, e cila përfshihet në nënkategorinë “të gjitha përdorimet e tjera (peshkim në ujërat e brendshme, peshkim nga organizatat e bashkëmenaxhimit (OMP) dhe dhënien në administrim të lagunave dhe zonave të tjera ujore limitrofe)”, me kodin III.5.A.2.
“Dokumentacioni i përcaktuar këtë vendimi, vlen për të gjitha subjektet e interesuara që paraqiten për konkurrim, sipas kategorive ujore të shpallura dhe llojit të aktivitetit, si më poshtë vijon:

– Për lagunat bregdetare, jo me dajlan;

– Për lumenjtë, bilance dhe stavnikë;

– Për peshkimin artizanal, me instalim stavniku në laguna dhe bregdet;

– Për lagunat bregdetare, me instalim dajlani;

– Për ujëmbledhësit e bujqësisë.”

Gjithashtu në vendimin e ndryshuar në një nga pikat thuhet se: “Për ujëmbledhësit e bujqësisë, pas shpalljes së fituesit në procedurën e konkurrimit publik për të drejtën e peshkimit në këta ujëmbledhës, subjekti fitues lidh një aktmarrëveshje me bashkinë/drejtorinë e ujitjes dhe të kullimit, të cilat janë organet që administrojnë ujëmbledhësin, sipas këtij vendimi.

Për ujëmbledhësit e bujqësisë, për të cilët nuk ka kërkesa për zhvillim aktiviteti, ministria njofton bashkinë/drejtorinë e ujitjes dhe të kullimit për shpalljen e konkurrimit publik për ujëmbledhësin përkatës. Në rastin kur institucioni që administron këtë ujëmbledhës nuk përgjigjet brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve për këtë njoftim, ministria shpall konkurrimin”.

Vendimi i cili hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ngarkon Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe bashkitë për zbatimin e tij.

Article Logic
Execution time: 0.0035791397094727