INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Punë natë e ditë, shembulli i Bashkisë së Tiranës [FOTO]

Punë natë e ditë, shembulli i Bashkisë së Tiranës [FOTO]

Publikuar më: 11:24 09-09-2016

Bashkia e Tiranës dhe UKT ka nisur të punojnë dhe natën. Këtë herë në drejtim të  zëvendësimit të gjithë tubacionit të vjetëruar me qëllim shmangien e humbjeve të ujit në rrjet, si dhe furnizimin e qytetarëve me një cilësi uji më të mirë.
Pjesë e këtij projekti është edhe ndërhyrja në zëvendësimin e gjithë tubacionit kryesor nga rruga “Todi Shkurti” deri te Pedonalja para selisë së Parlamentit, segment ky që ka shfaqur gjithmonë problematikë në rrjedhjen e ujit në rrugë.

Punimet u ndoqën edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi u njoh me detajet e projektit dhe punën që po realizohet, theksoi angazhimin e bashkisë për të bërë investime që sjellin përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të jetesës dhe kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për problemet që mund të shkaktohen gjatë realizimit të punimeve.

“1 vit më parë premtuam një bashki që punon me 3 turne. E di që sa herë që ndërtohet diçka, sa herë që bëhet një investim, sigurisht ka impakt në trafik, në mënyrën se si bëhet qarkullimi në qytet. Por, edhe sa herë që rregullojmë shtëpinë, dhomën e ndenjes apo dhomën e gjumit, shtëpia paralizohet ato ditë që ka punime në shtëpi. Tirana është shtëpia jonë e madhe, që do të thotë se sa herë që ka punime kërkohet mirëkuptim. Ajo që premtojmë dhe që po angazhohemi edhe tani në mes të natës, është që do të punojmë me 3 turne, që punët të mbarojnë sa më shpejt, por nuk mund të kërkojmë një Tiranë moderne nëse nuk i bëjmë këto investime”, tha Veliaj.

Këto punime priten të përfundojnë brenda 12 ditëve. “Kemi zgjedhur edhe këtë aks që përshkon mes për mes Tiranën, duke filluar nga Xhamia e Tabakëve, rruga e Shkollës së Baletit, kryqëzohet me Lanën dhe pastaj vazhdon në rrugën e Parlamentit. Edhe në Parlament shkohej me çizme vetëm prej ujit, që tre herë në ditë mbushte gjithë territorin. Po i bëjmë të gjitha këto punime me 3 turne. Në 6 ditë kemi bërë thuajse gjysmën e punës, 6 ditë të tjera për të mbaruar”, sqaroi kreu i Bashkisë.

Kryebashkiaku shtoi se gjatë vitit të dytë të këtij mandati fokusi do të vijojë me zonat rurale dhe akset kryesore në qytet.

“Ky vit i dytë do të ketë një fokus më të madh në zonat rurale, në disa nga akset kryesore. Ai për shembull që lidh rrugën nacionale Tiranë - Elbasan me njësinë tonë në Krrabë, me disa fshatra të njësisë në Pezë, me disa fshatra të njësisë tonë në Ndroq, në Kashar, në Zall-Herr edhe në Zallbastar. Besoj se do t’u tregojmë se si me të njëjtin zell që mbaruan çerdhet, kopshtet, ashtu do të vazhdojnë shkollat, ashtu do të punohet në qendër, ashtu do të punohet edhe në periferi”, deklaroi Veliaj.

Në total do të shtrohen rreth 1500 metër linear tubacion linjë kryesor dhe gati 350 metër linear rrjet shpërndarje, në një sipërfaqe prej 150 ha. Falë këtij investimi, banorët që jetojnë në qendër të Tiranës, zona  që kufizohet nga Bulevardi “Bajram Curri”, rruga “Muhamet Gjollesha” dhe Rruga e “Durrësit” do të përfitojnë një shërbim të përmirësuar të furnizimit me ujë të pijshëm. Gjithashtu rikonstruksioni i rrjetit do të rrisë edhe presionin e furnizimit me ujë për gjithë zonën që preket nga rrugët e mësipërme.

Article Logic
Execution time: 0.0036139488220215