INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pushimet e europianëve, Eurostat: 33 % e familjeve s’i përballojnë dot

Pushimet e europianëve, Eurostat: 33 % e familjeve s’i përballojnë dot

Publikuar më: 08:25 07-08-2017

Pushimet konsiderohen luks, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për një pjesë të familjeve në vendet e zhvilluara europiane. Sipas Institutit Europian të Statistikave, një në 3 familje europiane e kanë të pamundur ekonomikisht të përballojnë një javë pushime larg shtëpisë.

Shifra është bërë publike përmes një anketë të posaçme, e cila vëren diferenca të mëdha nga njëri vend në tjetrin.

Sipas Eurostatit, nivelin më të ulët të familjeve që nuk mund të përballojnë pushimet e ka Suedia. Në vendin nordik janë vetëm 8.2 për qind e familjeve, të cilat nuk kanë të ardhura për të shkuar një javë me pushime larg shtëpisë.

Më pas vjen Luksemburgu me 13.1 për qind dhe në vendin e tretë renditet Danimarka me 13.7 për qind.

Por, nëse në vendet e Europës Perëndimore janë vetëm një pjesë e vogël e familjeve që nuk mund të përballojnë pushimet, në shtetet e reja anëtare të Lindjes është një situatë krejt tjetër.

Sipas Eurostatit, në Bullgari janë 56.4 për qind e familjeve që nuk kanë të ardhura për një javë pushime larg shtëpisë; në Kroaci 62.8 për qind, ndërsa në Rumani plot 66.6 për qind e popullsisë s’ka parà për pushime.

Për shumë njerëz, vera nënkupton pushime dhe udhëtime. Por sipas Eurostatit, jo të gjithë mund t’i përballojnë ato. Edhe në Bashkimin Europian.

Article Logic
Execution time: 0.0037031173706055