Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Las Vegas. Tufa masive karkalecash kanë pushtuar vendin.
Turistët dhe banorët e zonës janë befasuar, teksa karkalecat kalonin nëpër qytetet në procesin e emigrimit të tyre në veri.
Video të postuara në mediet sociale shfaqin mizëri karkalecash, duke u ngjitur në shtyllat e ndritshme të neoneve. Gjithashtu trotuaret ishin mbuluar me insekte.
Departamenti i Bujqësisë i Nevadës tha se pushtimi i rrallë ishte i lidhur me një dimër dhe pranverë të papërshtatshme.
Jeff Knight, një entomolog në Departamentin e Bujqësisë, tha se insektet mund të jenë të frikshëm, por janë të padëmshëm.
‘Ata nuk mbajnë asnjë sëmundje, nuk kafshojnë dhe nuk janë as një nga speciet që ne e konsiderojmë një problem,’ u tha Knight, gazetarëve të premten. ‘Ata ndoshta nuk do të shkaktojnë shumë dëme në një oborr.’
Ai tha se karkalecat, me gjatësi prej 3.80 centimetra, do të largohen nga zona e Las Vegasit brenda pak javësh.