Presidenti rus Vladimir Putin ka ngritur pyetjen se si mundet që 200 tifozë rusë të jenë të aftë të rrahin 1 mijë tifozë anglezë gjatë kompeticionit Euro 2016.
Dhjetëra tifozë rusë janë ndaluar nga policia franceze pas dhunës që shpërtheu mes tyre dhe tifozëve anglezë në Marsejë që para ndeshjes Rusi-Angli.
Presidenti rus e ka përshkruar këtë akt huliganesk si të shëmtuar, por është skeptik për mënyrën se si ka ndodhur.
“Zënka mes tifozëve rusë dhe anglezë është një turp i madh,” tha ai gjatë forumit vjetor ekonomikë zhvilluar në Shën Peterburg.
“Por ajo që nuk kuptoj është fakti se si 200 tifozë tanë kanë rrahur 1000 anglezë”, shtoi ai pas të qeshurave dhe duartrokitjeve që mori nga audienca.
“Në çdo rast, trajtimi nga ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë”, tha ai.
Rusia akuzoi autoritetet franceze se po përpiqen të injorojnë veprat provokative të tifozerive të vendeve të tjera.