INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
''Qani sot shqiptarë sepse nuk e dini çfarë humbët mbrëmë'', Artan Fuga thotë fjalët prekëse

''Qani sot shqiptarë sepse nuk e dini çfarë humbët mbrëmë'', Artan Fuga thotë fjalët prekëse

Publikuar më: 19:35 28-02-2018

Mjekja Rushen Golemi që njihet si e para kirurge femër në Shqipëri është ndarë nga jeta ditën e djeshme e ndërsa miqtë dhe koleget kanë shprehur ngushëllimet dhe fjalët më të ndjera.

Postimi i plotë

Qani sot shqiptarë sepse nuk e dini çfarë humbët mbrëmë!

——————

Sot unë përulem me dhimbje përpara gruas së madhe shqiptare që shkon në banesën e fundit, dr. prof. Rushen Golemi.

Aq sa e kam njohur, ajo nuk ishte një politikane.

Ishte aq e lartë saqë nuk mund të ishte politikane.

Mjaft ju që politizoni çdo gjë o të mjerë dhe që e masni çdo gjë me kutin tuaj banal!

Edhe ju që nuk dini të bëni asgjë!

Ajo tallej me kotësinë, mediokritetin, mëndjemadhësinë, duke qenë në madhështinë e saj kaq njerëzore, pa ditur të tallej me askënd.

Ajo e pamatshmja që u detyrua të jetonte në kohën e vijës së masave dhe gjente hapësirën të shkëlqente me punën e saj.

Ajo që jetoi në kohën që i pazoti, matrapazi, i pavlerti, burrë a grua qoftë, bën si perëndi!

Ajo që kishte forcën dhe aftësinë ta kthente mbrapsht natyrën kur kjo ishte kundër njeriut!

Dhe kurrë nuk e pashë të lëvdohej.

Rrinte në heshtjen e vet të ndritur!

Ajo sigurisht ka qenë një kirurge që nuk i vjen më Shqipërisë ku fati e hodhi sepse mund të ishte e tillë në çdo vend të Globit.

Por për profesionalizimin e saj nuk mund të flas unë budallai para saj!

Ajo që unë di, kam vrojtuar në dekada, është se ajo ishte një njeri i madh, një zonjë e emancipuar, që i tejkalonte të gjitha rregjimet ku jetoi.

Ajo ishte një humaniste e madhe.

Ajo ishte një shpirt dhe zemër të madhe.

Ajo ishte një mendje e hapur që si lule drejtohej gjithmonë drejt diellit.

Ishte përtej dogmave dhe paragjykimeve.

Femra shqiptare ka te ajo margaritarin për të thënë : Jam bashkëpatriote me Rushen Golemin!

Eleganca e saj shpirtrore dhe fizike, duart e saj magjike, topuzi i flokëve të mbledhur mbi kokë, thjeshtësia e saj prej princeshe, të gjitha, nuk ka fjalë që i përshkruan.

Ju o shqiptarë, nuk e dini se çfarë keni humbur mbrëmë!

E tërhequr në fisnikërinë e saj të mbrame, mos kujtoni se harrohej.

Askush nuk mund ta qajë humbjen e saj, sesa ne, ne që jemi asgjë. Ne që na përbuzin!

Edhe më shumë bota e përtejme merr superioritet ndaj së këtejmës.

Andej plot shpirta të mëdhenj shqiptarë, këtj dominojnë të vegjëlit, jemi ne të kotët, budallenjtë, dhe matrapazët që merremi me e lagu s’e lagu.

Sa jetë kishte ajo në duart e saj, një Zot e di.

Unë e quaja aq të lidhur me jetën që u kishte dhuruar mijra njerëzve, saqë e dija të pavdekshme.

E jo, isha gabuar.

Pse mund të vdiste edhe Rushen Golemi?

Në dreq vaftë vdekja!

Qani sot shqiptarë, se nuk e dini çfarë keni humbur!

 

Article Logic
Execution time: 0.0038671493530273