INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Qeveria emeton obligacionin 39.6 milionë euro, bankat ofruan 64.6 mln euro

Qeveria emeton obligacionin 39.6 milionë euro, bankat ofruan 64.6 mln euro

Publikuar më: 16:34 17-08-2017

Qeveria ka finalizuar me sukses emetimin e një obligacioni 2-vjeçar në 39.62 milionë euro, teksa shihet një ofertë surprize e bankave që kanë favorizuar gjithashtu qeverinë të marrë interesa të ulëta.

Bankat ofruan 64.6 milionë euro, ose 43% më shumë se nevoja e qeverisë. Interesi rezultoi 0.8% i njëjtë me atë të janarit të këtij viti, kur u emetua një obligacion 2-vjeçar me vlerë 39 milionë euro. Raporti i mbulimit këtë herë ishte 1.4 herë më i lartë se oferta e qeverisë.
Qeveria ofroi në ankand blerjen e 45 milionë eurove fillimisht, por pavarësisht se oferta e bankave ka qenë e bollshme, Ministria e Financave ka pranuar të emetojë 39.62 milionë euro.

Qeveria e zhvillon këtë ankand për të rifinancuar borxhin e brendshëm në euro që ka marrë vitet e kaluara.
Nisur nga likuiditeti i bollshëm në valutë, tani që edhe sezoni i turistik është në kulmin e tij, qeveria synon të grumbullojë likuiditet në euro, me interes të favorshëm.

Burimet nga Ministria e Financave pohuan se kjo shumë do të shërbejë për financimin e deficitit të qeverisë dhe se ankandi bëhet në euro, për të përfituar nga oferta më e lartë e operatorëve vendas në këtë valutë.

Ankandet në euro për financimin e borxhit të brendshëm janë bërë një praktikë e zakonshme vitet e fundit.
Në muajin nëntor të vitit 2016, qeveria emetoi një obligacion 2-vjeçar me vlerë 35 milionë euro, ndërsa në janar të 2017 u zhvillua një tjetër ankand me vlerë 50 milionë euro.

Të dy ankandet janë zhvilluar me sukses, pasi bankat ofruan likuiditet në euro më shumë se sa kërkesa e qeverisë.
Qysh nga viti i kaluar, ekonomia e vendit ka pasur një mbifurnizim në valutë, siç është parë nga zhvillimet në kursin e këmbimit ku monedha e vendase është mbiçmuar me 6 lekë në këmbim me euron në harkun e një viti.

Ministria e Financave raportoi se borxhi publik në raport me PBB-në arriti në 66.8% në fund të 6-mujorit 2017, por në fund të vitit, stoku i detyrimeve në raport me PBB rrezikon të jetë më i lartë pasi parashikimi me PBB do të mbetet i njëjtë teksa borxhi në vlera neto do të rritet.

Ndonëse në trajektore ulëse, borxhi publik i Shqipërisë renditet nga më të lartët edhe në vendet e BE-së. Sipas një tabele krahasuese që publikoi Eurostat në lidhje me treguesit e borxhit, 16 vende të BE-së renditen me borxh publik më të ulët se Shqipëria.

Article Logic
Execution time: 0.0042409896850586