INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rama: Asnjë politikan nuk do t’i shpëtojë drejtësisë

Rama: Asnjë politikan nuk do t’i shpëtojë drejtësisë

Publikuar më: 18:15 30-08-2016

Kryeministri Edi Rama ka thënë gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme për miratimin e “Vettingut” se masat që do të luftojnë korrupsionin në sistemin e drejtësisë kanë mbështetjen e Komisionit të Venecias.

Rama tha se Ligji i Vettingut do t’i hapë rrugë fshesës së hekurt që do të spastrojë pallatin e drejtësisë nga ata që e kanë marrë peng duke e kthyer në mall që shitet dhe blihet.

Fjala e Ramës në Parlament:

Më në fund kemi ardhur në momentin shumë të rëndësishëm të kurorëzimit të një ideje që është në bazën e gjithë reformës në drejtësi, duke miratuar ligjin që i hap rrugë fshesës së hekurt në pallatin e drejtësisë.

Duke i hapur rrugë spastrimit të drejtësisë nga të gjithë ata që e kanë marrë peng dhe e kanë kthyer drejtësinë në një mall që shitet dhe blihet dhe i kanë mohuar një populli të tërë të marrin drejtësinë që i takon dhe në kohë.

Dhe ata që i kundërvihen reformës në drejtësi janë ata që me të drejtë ndjejnë çfarë vjen pas nga kjo reformë. Ata që kanë probleme me drejtësinë.

Muri i 94 votave u shëmb përpara derës së SHQUP-it. Nuk e kuptoj pse po ndahen nga treni i fitores. Por jam i bindur që këtë e kupton çdo shqiptar që arsyeton pak. Çdo qytetar që e ka jetuar këtë tranzicion dhe ka përjetuar tmerret që lidhen drejtpërdrejt me sistemin e drejtësisë. Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush e ka penguar sistemin e drejtësisë të reformohet dhe të institucionalizohet në jetën e përditshme.

Këtu ka vetëm një gjë për të bërë, të votojmë këtë ligj kaq të rëndësishëm me bindjen që ne i bëmë të gjitha përpjekjet për të patur konsensus. Por nuk mund të ketë një konsensus alla shqiptarçe që bie ndesh me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Nuk është një menu që merr çfarë të pëlqen dhe të lësh çfarë nuk të pëlqen.

Kjo nuk është zgjedhje e një partie apo një partie tjetër por është vullnet i popullit shqiptar. Ta votojmë këtë ligj si shumicë. të mbrojmë me vendosmëri dhe fakte konkrete zotimet tona përpara shqiptarëve. Jemi i pari koalicion qeverisës që e kemi shkuar në program. Hapeni programin dhe lexojeni. Dhe këtu janë bërë shumë përqeshje se si mund ta shkruanim ne në program kur duheshin 94 vota.

Tani sepse ju nuk vazhdoni dot të bëni sikur e doni reformën në drejtësi. Kjo është sa e lehtë për tu kuptuar aq edhe për të ardhur keq. Nuk ju lë ajo që keni thellë në barkun e shtëpisë tuaj dhe që ju pengon të parafytyroni një shqipëri ku çdo gjyqtar e prokuror do ta ketë të pamundur të ushtrojë profesionin e tij nëse nuk përmbush kushtet.

Kjo politikë e vjetër e degjeneruar dhe degjeneruese për Shqipërinë e këtyre viteve e ka siç thitë populli, kufirin te thana. Këtu në këtë sallë ka një shumicë e cila është e gatshme ti përgjigjet thirrjes dhe ti nënshtrohet vullnetit të tyre për të flakur jashtë sistemit të gjithë të inkriminuarit.

Nuk po e dëgjoj ta përmendni më Komisionin e Venecias. Por po jua citoj këtu: “Këto masa jo vetëm janë të justifikuara por janë të nevojshme që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni, i cili nëse nuk trajtohet sot me këto masa drastike mund ta shkatërrojë plotësisht sistemin drejtësor”.

Article Logic
Execution time: 0.0037169456481934