INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rama-Haradinaj një vit përplasje, ‘armiq’ edhe në ditë të vështira

Rama-Haradinaj një vit përplasje, ‘armiq’ edhe në ditë të vështira

Publikuar më: 10:12 23-07-2019

Duket se përplasjet e nisura gati një vit më parë nuk po shuhen mes dy kryeministrave, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj.

Për thirrjen që mori nga Gjykata Speciale dhe dorëheqjen që pasoi, Ramush Haradinaj ka thënë se ka marrë shumë letra nga homologët në rajon, por një të tillë nuk e ka marrë nga bashkëkombasi i tij, Edi Rama.
“Kam marrë shumë shkresa prej kryeministrave të rajonit, por jo prej Edi Ramës. Prej Shqipërisë më kanë shkruar presidenti Berisha, Moisiu, presidenti Meta ishte këtu, etj”, ka deklaruar Haradinaj në televizionin “T7”.

Në vijim ai tregoi se nuk ka inate me Edi Ramën dhe çdo gjë e bën për të mbrojtur territorin e Kosovës.
Por kur nisën përplasjet mes Ramës dhe Haradinajt?
Përplasja e parë mes tyre është shënuar në Durrës, më 28 gusht 2018.

-Në Forumin e Kryeministrave të Rajonit, ku i pranishëm ishte dhe Komisioneri për Zgjerimin në BE Johanes Hahn, Rama dhe Haradinaj dhanë nga një përgjigje lidhur me mundësinë e korigjimit të kufijve. Qëndrimi i Haradinajt dihet; ai ka thënë një ‘JO’ të prerë që e theksoi edhe në Konferencën që u zhvillua atë ditë.
Ndërsa Rama nuk dha një përgjigje të prerë. Shpesh kryeministri ka deklaruar se do të mbështesë vendimin e institucioneve të Kosovës por në asnjë rast ai nuk ka thënë një ‘Jo”, sikundër deklaron Haradinaj.

-Më pas, përplasja më e ashpër ndodhi për taksën 100 % të Kosovës ndaj Serbisë. Në mbledhjen e dy qeverive në Pejë më 25 nëntor të 2018, Edi Rama i dha plotësisht të drejtë qeverisë së Kosovës mbi taksën, duke thënë “Është gjëja më normale në kushtet anormale që ka vendosur Serbia”.
Por më vonë në prani të faktorit ndërkombëtar Rama ka shprehur qëndrim të kundërt. Ky moment shënoi dhe krisjen e thellë mes tyre.
Në muajin prill të këtij viti në Berlin u zhvillua Samiti mbi Ballkanin Perëndimor ku të pranishëm ishin dy kryeministrat dhe Presidenti Hashtim Thaçi. Në një takim ku ishin edhe kancalarja Angela Merkel edhe Presidenti i Francës, Emannuel Macron, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Rama i kishte bërë presion të fortë për heqjen e taksës.
Haradinaj në intervista të ndryshme në atë kohë, tha se Rama dhe Thaçi i kanë bërë presion më shumë se Presidenti serb Vuçiç në sy të të gjithëve në Berlin për të hequr taksën 100% për mallrat serbe.
Kjo u mohua nga Rama por qëndrimi i tij i mëparshëm mbi taksën u duk i ndryshuar.

-Si pasojë e kësaj përplasjeje, më 20 maj në mbledhjen e dy qeverive në Tiranë, Rama dhe Haradinaj nuk morën pjesë. Ajo mbledhje u drejtua nga dy zëvendëskryeministrat, ai i Shqipërisë Erjon Braçe dhe ai i Kosovës, Fatmir Limaj. Asnjë prej kryeministrave nuk tregoi arsyet e mungesës, ndërsa po atë ditë Haradinaj u fotografua në Tiranë në një takim me Presidentin Ilir Meta që është shprehur kundër korigjimit të kufijve. Pra, ajo që nuk u kuptua ishte nëse Edi Rama e ftoi apo jo Haradinajn.
Këto përplasje mes tyre u reflektuan edhe këto ditë që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqjen. Siç ai ka treguar, vetëm prej Edi Ramës nuk ka marrë një mesazh mbështetjeje.
Në të vetmin reagimin mbi thirrjen e Haradinajt në Hagë, Rama as emrin nuk ia përmendi. “Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK, janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të histories”, shkroi Rama në reagimin e tij të vonuar mbi zhvillimet në Kososovë.

Nga ana tjetër pala e opozitës shqiptare ka mbështetur dhe ka vlerësuar Haradinajn për qëndrimet e tij kundër rishikimit të kufijve me Kosovën.

Article Logic
Execution time: 0.0038199424743652