Çdo të dielë në orën 18:00, kryeministri Edi Rama shpërndan në Facebook-un e tij “Komunikimin Javor”, ku flet për çështje e problematika të ndryshme.
Që kur e ka filluar këtë komunikim, jemi mësuar që kreun e qeverisë ta shohim të veshur me kostum në zyrën e tij, në murin e së cilës shihej portreti i Ismail Qemalit dhe disa piktura të bëra nga vetë ai.
Këtë radhë, Rama u shfaq me veshje më sportive dhe në natyrë.
“Mesazhet tani e tutje do i jap ndryshe, nga vendndodhjet e mija në rrugëtimin drejt fitores. Ju përshëndes nga Elbasani”, e nisi kryeministri fjalën e tij.
Në “Komunikimin Javor” të sotëm, Rama iu drejtua emigrantëve të cilëve u bëri thirrje të telefonojnë të afërmit dhe t’i shtyjnë të votojnë PS-në.
Rama në FB:
Kjo është hera e fundit që ju motra dhe vëllezër nuk mund të votoni dot nga jashtë vendit. Pa ju Shqipëria nuk do të mund t’i kishte mbijetuar dot rrënimit ekonomik.
Pa ju Shqipëria nuk do të kishte sot të ardhme dhe suksese të panumërta nga njerëz të thjeshtë si ju. Unë jam shumë mirënjohës për gjithçka që bëni për Shqipërinë por edhe për kritikat në këtë faqe ku marr shumë energji për punën.
E di që ka edhe nga ju që na kanë votuar në 2013 dhe thonë duhet të ishte bërë kjo e kjo, por kemi bërë çfarë kemi mundur. Dua t’ju siguroj se do të bëjmë çdo gjë që nuk është bërë nëse na mbështesni me votën tuaj.
Kjo është një betejë për flamurin tonë kuqezi të Skënderbeut. Flamurin që do ta ngulim në oborrin e Europës së Bashkuar. Shqiptarët duhet të bëhen një fuqi e madhe.
Prandaj ju lutem ngrini telefonin, flisni me të afërmit tuaj këtu në Shqipëri, bëjini 10 vota dhe ne do të 10 fishojmë përpjekjen tonë.
Kërkojuni të votojnë PS-në dhe të na mbështesin, të më mbështesin për t’i dhënë këtij vendi dinjitetin.