INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rama i quan mediat po aq të pabesueshme sa gjykatat, zbulon të vetmen gjë që i trembet në punën e tij

Rama i quan mediat po aq të pabesueshme sa gjykatat, zbulon të vetmen gjë që i trembet në punën e tij

Publikuar më: 21:26 14-11-2017

Kryeministri Edi Rama ka vijuar akuzat në lidhje me mediat, duke iu referuar në vlerësimet që bën, anketimeve që ka bërë vetë. Në studion e News 24, Rama tha se nëse vetë mediat do të bëjnë anketime mbi besueshmërinë e tyre, atëherë do të nxjerrin si konkluzion që janë po aq të pabesueshme sa edhe gjykatat.

Kaq shumë nuk ju pëlqejnë kritikat?
"Kur isha në shkollë, rrija në fund kur bënim gjimnastikën e mëngjesit, ai që drejtonte gjimnastikën ma bënte me gisht mua, pse nuk i bën lëvizjet si duhet pavarësisht se të tjerët ishin përgjumësh. Por është efekti i gjatësisë që të vë në qendër të vëmendjes. Ka ndryshim të madh mes kritikës dhe shpifjeve të pabazuara. Kush më njeh e di që unë stimulohem nga kritikat dhe kundërshtimet në diskutim, por kritikat ngrihen mbi ide, ndërsa balta e shpifjeve nuk është kritikë. Ka gjithnjë një moment kur duhen thënë disa të vërteta, që s’janë absolute por janë të miat. Nuk janë strategji për të denigruar ndokënd, por është e vërtetë, për të cilën gjithkush ka arsyet e veta, por këto i kam dhe unë, jo vetëm ju."

Media e vendit tuaj është e pabesueshme, gazetarët për të qarë hallin? Pse t’ju besojmë juve për këtë që thoni?

"Bëji një pyetje vetes, se pse ajo që thashë unë në konferencë nuk skandalizoi askënd. Nuk mendoj se ka ndonjë gjë për t’u çuditur nëse edhe kryeministri shpreh opinione. Bëni një anketim e do çuditeni, sot në opinionin publik mediat janë po aq të pabesueshme sa gjykatat, niveli më i ulët i besueshmërisë në Republikën e Shqipërisë."

Kryeministri Rama vijoi duke thënë se të vetmit “bumerang” që trembet në punën e tij të përditshme, është që të mos marrë vendime të gabuara.
“Nuk përbën objektiv për mua, krijimi i një klime negative për një fushë të caktuar. Nuk është ky qëllimi im. Nëse unë shpreh një opinion, ju duhet ta merrni si të tillë, dhe si një të drejtë që ju nuk ma hiqni dot, dhe as ma shkelni dot. Unë ju siguroj, ka vetëm një bumerang që unë i trembem, atij të vendimeve dhe veprimeve të mia, që në këtë punë që bëj janë të panumërta, dhe duke bërë këtë punë, jo gjithmonë je në kushtet që të mos gabosh.

Bumerangu nga veprimet e mia është e vetmja gjë që unë shqetësohem.
Të bësh këtë punë nuk është aspak diçka që lidhet me rehatinë, apo të bërit të gjërave me siguri. Kjo është një punë që ka një kosto të jashtëzakonshme shpirtërore, fizike dhe mendore, në kuptimin e një stresi që është permanent. Patjetër që në këtë punë është e rëndësishme që të bësh gjënë e duhur dhe të drejtë”, u shpreh kryeministri Rama.

Article Logic
Execution time: 0.0035829544067383