Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit në ministrinë e Brendshme.
Rama iu ka kërkuar efektivëve të Policisë së Shtetit të marrin menjëherë në kontroll gjithë vijën bregdetare, por edhe të gjitha hapësirat urbane, për të ndaluar ndërtimet e paligjshme.
Gjatë takimit me drejtuesit e policisë, kreu i qeverisë urdhëroi policët të hidhen në veprim për të identifikuar, ndaluar e penalizuar çdo subjekt që ushtron aktivitet ndërtimor të paligjshëm
“Veprimtaritë kriminale janë objekt i punës së policisë. Ju kërkoj sot hedhjen menjëherë në veprim për të identifikuar, ndaluar e penalizuar çdo subjekt që ushtron aktivitet ndërtimor të paligjshëm. Kudo në hapësirat urbane, ku cenohet prona publike, prona e tjetrit, apo çdo zonë për zhvillimin, duke filluar nga tërë vija bregdetare. Dua që kjo përpjekje të përshkallëzohet në një ofensivë sistematike, si ofensiva shfarosëse e kanabisit.
Çdo punonjës në teren duhet të ketë të qartë zonën e vëzhgimit dhe duhet të monitorohet për performancën. Të penalizojë këdo që kapet në kushtet e këtij fenomeni. Shqipëria ka humbur shumë nga ky fenomen shkatërrues e gërryes. Kjo shtysë përpara duhet të nisë menjëherë, në bashkëpunim me IKMT, si dhe me pushtetin vendor të zonave bregdetare në radhë të parë”, tha Rama.