INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rama ironizon Bashën: Të vdekurit do t’i bëjë të gjallë

Rama ironizon Bashën: Të vdekurit do t’i bëjë të gjallë

Publikuar më: 18:36 07-06-2017

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Vlora se premtimet e rivalit të tij politik janë të parealizueshme. Duke folur nga Amantia,  Rama tha se për fushatë Basha do ishte i gatshëm të premtonte dhe një linjë udhëtimi për takimin e të gjallëve me të vdekurit.

“Më vjen shumë për të qeshur kur dëgjoj Lulin të thotë rrëzuam gjysmën e qeverisë, tani hajde të rrëzojmë gjysmën tjetër. E ka katandisur atë parti në një gjysma gjel që këndon vetëm kur hapet televizori. Sa del para kamerave është bilbil, premton gjithçka. Jam i bindur se po ti thonë premto që Republika e Re do të ketë një linjë udhëtimi për të shkuar dhe takuar të ndjerët e familjeve për ditë të diele me prenotim, jam i bindur që do të thotë ma jepni votën se në Republikën e Re të gjallët do të takohen me të vdekurit. Nuk e ka problem fare të premtojë pensione, ushqim gratis në gjithë Shqipërinë, subvencione për bujqësinë që të bëhet deti kos dhe të ngjitet deri këtu. Kur konkuroi për bashkinë  e Tiranës u premtoi se çmimin e bukës do e vendosë bashkia dhe nuk do lërë askënd ta shesë bukën mbi çmimin e  bashkisë. Do punonin të gjithë bukëpjekësit e Tiranës falas se kështu donte Luli. Jo çmimin e bukës që nuk vendosi po sahatin e Tiranës nuk rregulloi. Si e rrëzoi Luli gjysmën e qeverisë kur kishte kundër tërë botën? Dhe kur të gjithë ishin të gatshëm të mbështesnin zgjedhjet dhe parlamentin dhe qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet. U desh këmbëngulja jonë dhe durimi im heroik. Qëndra e votimit nuk është tribunë në stadium por do jepni vendimin se kush do e çojë Shqipërinë përpara katër vitet e ardhshme, makineria jonë e reformave apo karroca e partive të tjera.

Në këtë fazë kemi nevojë të çojmë përpara disa beteja që janë historike dhe vendimtare. Kemi nevojë të çojmë përpara betejën për ta zbatuar deri në fund vettingun duke garantuar që më në fund pallati i drejtësisë të jetë i qytetarëve dhe jo i pushtetarëve dhe gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar. Kemi nevojë të hapim kantierin e madh të një reforme jashtëzakonisht të vështirë, të një reforme që prek drejtëpdrejtë interesat e partive dhe që çliron energjinë e munguar pozitive të administratës shtetërore, për ta bërë administratën shtetërore nga një administratë që është federatë republikash të partive në një administratë të një shteti që meriton të quhet shtet dhe u shërben të gjithë qytetarëve. Nëse ka një gjë që më vjen zor të flas është se janë pafund njerëzit që janë ndeshur në zyrat e shtetit me sjellje të pa pranueshme, refuzim për të marrë shërbimin që meritojnë, kërkesa për ryshfete. Kjo është sëmundje e vjetër dhe i ka rrënjët tek partitë politike të Shqipërisë, bashkimi i interesave të partive për të kapur nga brenda shtetin.

Ne i kemi shqetësuar të tjerët me fabulën e  timonit dhe bëjnë lloj-lloj interpretimesh, kur unë them na ndihmoni ua them të gjithëve, jo vetëm socialistëve. Ua them demokratëve dhe atyre që nuk kanë votuar ndonjëherë. Na ndihmoni që timonin e reformave dhe të qeverisjes ta mbajmë me të gjithë përgjegjësinë pa qenë të detyruar të mbajmë të tjerët në prehër që kanë një dorë në timon, nuk është se them na jepni më shumë pushtet për vete, por na jepni më shumë pushtet që të bëjmë shumë më tepër për ju.

Votat këta nuk i duan për ju, në televizor vriten për ju, u fikën kamerat me vrap tek tepsia. Mbylljauni rubinetin që furnizohet nga vota për ti fryrë e stërfryrë këtë lloj subjektesh që nuk meritojnë besimin e shqiptarëve.”, përfundoi Rama. 

Article Logic
Execution time: 0.0036709308624268