Kryeministri Rama ka demostruar lumturinë e tij për përfshirjen e thesarit të Marubëve në Muzeun që do të hapet në Shkodër. Ai shkruan se është shumë i lumtur, që pas pak ditësh thesari i dinastisë së Marubëve do të futet në Muzeun më të ri Kombëtar, në Shkodër. Sipas Edi Ramës ky thesar i paçmueshëm do të ekspozohet për publikun në Ditën e Europës.
Ja ç’shkruan Rama:
“Pas shumë vitesh rrugëve të braktisjes në mëshirën e fatit, ky thesar i paçmueshëm jo vetëm i kulturës tonë kombëtare, po i vetë qytetërimit europian, do të konservohet dhe ekspozohet për publikun në kushtet më optimale. Krenar për këtë kontribut të rëndësishëm të qeverisë në shpëtimin e thesarit të Marubëve! Faleminderit nga zemra atij grushti njerezish në Shkodër, të cilët me pasionin e dashurisë për kulturën dhe me besnikëri të madhe ndaj punës, në kushtet më të mjera dhe pa asnjë mbështetje, e ruajtën thesarin nga rreziku real i shkatërrimit përfundimtar. Muzeu Kombëtar Marubi do të çelet në Ditën e Europës”.