Kryeministri Edi Rama ka inspektuar rikonstruksionin e godinave në “Qytetin Studenti”. Shefi i qeverisë theksoi se krahas Tiranës, ndërtimi dhe rikonstruksioni i konvikteve ka nisur në qytetin e Korçës, dhe shumë shpejt pritet që ky proces të nisë edhe në qytetin e Shkodrës, Vlorës, Elbasanit dhe Gjirokastrës.
“Korça ka filluar, Shkodra po ashtu është në proces dhe për ta filluar e fillon këto ditë, gjithashtu edhe për Elbasanin, Vlorën dhe Gjirokastrën. Fillimi i ndërtimit për kampusin nga pranvera e vitit tjetër, besoj e fillojmë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se deri tani ka përfunduar rikonstruksioni në 11 konvikte, ndërsa gjashtë të tjerë janë në proces e sipër. Gjithashtu shefi i qeverisë prezantoi edhe një ide të re, e cila sipas tij do t’u krijojë mundësi ekstra studentëve që të administrojnë vetë godinat kundrejt një pagese.
“Në Qytetin Studenti ku ka përfunduar rikonstruksioni i 11 konvikteve dhe janë drejt përfundimit edhe 6 godina të tjera. Për herë të parë, godinat do të administrohen nga vetë studentët. Në çdo godinë e në çdo kat një student do të jetë përgjegjës për zgjidhjen e çdo problemi me mirëmbajtjen dhe mbarëvajtjen e punëve të godinës. Ndërkohë kantieret janë hapur edhe në konviktet e Korçës, Shkodrës, Elbasanit, së shpejti edhe në Vlorë e Gjirokastër”, shkruan Rama në Facebook.