Kryeministri Rama vazhdon betejën e tij për teatrin. Ditën e sotme nëpërmjet një postimi në Facebook Rama ka cituar aktorin e madh të skenës shqiptare, Reshat Arbana, i cili sipas tij mbështet idenë e ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, pasi ekzistuesi shton ai, ka humbur të gjithë funksionet.
“Njëri ndër idhujt e publikut shqiptar, aktor i gjeneratës së yjeve të një kohe kur mjeshtëria artistike i jepte kuptim kornizës së absurdit socrealist, Reshat Arbana i përket historisë së skenës e të ekranit. Por raportin me vlerat e historisë dhe respektin mjeshtrat e skenës, ai nuk e sheh aspak të lidhur me muret prej tallashi të karakatinës së sotme të Teatrit Kombëtar. Përkundrazi, njësoj si të tërë artistët e vërtetë të skenës, aktori i madh mbështet prej shumë kohësh ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, në hapësirën ku i vjetri e ka kryer e humbur përfundimisht funksionin e tij. RESHAT ARBANA: Të bëhet një teatër i mirë dhe t’i lëmë ata aktorë të ushqejnë me emocione popullin. Të shohim teatër që të ngacmojë spektatorin në zemër”-thuhet në mesazhin e Ramës.