INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rama paralajmëron PD: Nuk keni shans të na ndalni

Rama paralajmëron PD: Nuk keni shans të na ndalni

Publikuar më: 12:32 26-07-2016

Miratimi me 140 vota të ndryshimeve kushtetuese nuk e ka qetësuar Kryeministri Edi Rama. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë miratimin me urgjencë të 7 ligjeve të tjera, të cilat kërkojnë 84 vota në sallën e Kuvendit. Kryeministri Rama parlajmëron se konsensusi me opozitën i arritur për ndryshimet Kushtetuese nuk është i sigurtë, madje shefi i shumicës tha se opozita do të bëjë gjithçka që 7 ligjet të mos miratohen.
Edi Rama:
“Reforma në Drejtësi do të vazhdojë me ligjet kryesore që pasojnë reformën e miratuar kushtetuese dhe kërkojnë minimumi 84 vota. Ata që u dorëzuan përballë presionit të jashtëzakonshëm popullor e ndërkombëtar dhe presionit të brendshëm që krisi murin shurdh të Partisë Demokratike, do të vazhdojnë të rezistojnë në çdo hap e për çdo ligj të domosdoshëm për zbatimin e reformës kushtetuese. Por nuk kanë shans ta ndalin historinë e re të drejtësisë që ka nisur me hirin dhe me pahirin konsensual të 21 korrikut”.
Megjithatë nëpërmjet një reagimi në facebook Kryeministri Rama tha se pas votimit historic të 21 Korrikut tashmë Shqipëria nuk është më e njëjta.
Edi Rama:
“Shqipëria nuk është më ajo që ishte përpara votimit historik të së enjtes së shkuar; jo vetëm në sytë e Washingtonit, Berlinit e Brukselit, po edhe në sytë e komunitetit ndërkombëtar të investitorëve, vendi ynë ka fituar një besueshmëri të re. Votimi i 21 korrikut i ka hapur rrugë një reforme shembullore në drejtësi dhe vetingu me mbështetje ndërkombëtare (parashikuar në kushtetutë) i të gjithë gjykatësve e prokurorëve, i cili do të nisë si një operacion rrënjësor pastrimi nga maja e piramidës së korruptuar të gjyqësorit, i ka bërë të marrin frymë lirisht investitorët e mëdhenj”.

Article Logic
Execution time: 0.0036101341247559