Në komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët nga Kryeministria, Edi Rama renditi arritjet e qeverisë së tij, duke pranuar që nuk është e kulluar, por është qeveria që kanë zgjedhur shumica e shqiptarëve.
E ndryshe nga ata, Rama tha se opozitarët “sa herë e patën pushtetin prodhuan keqqeverisje me pasoja rrënuese, ndërsa sot prodhon vetëm lajme të këqija”.
Lënia e mandateve është lajm i keq për demokracinë, tha Kryeministri duke pranuar për herë të parë se kjo gjë mund të ndikojë në mos çeljen e negociatave me BE-në në qershor të 2019-ës.
“Është ditë e keqe për demokracinë shqiptare, e dëmshme për jetën politike, kjo është një zgjedhje destruktive, fatkeqësia e këtij vendi që goditet nga bijtë e vet. Kjo mund të rezultojë fatale për çeljen e negociatave këtë vit ashtu si pamjet e turpshme të së shtunës që bënë xhiron e botës. Nuk jam për të fajësuar opozitën aspak, nuk jam i qetë që opozita sot është kthyer në shqetësim real për partnerët tanë SHBA dhe BE”,- tha ai.