INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rama refuzon LSI-në, por jo partitë e tjera për koalicion: Ju tregoj pse u prish aleanca me LSI-në

Rama refuzon LSI-në, por jo partitë e tjera për koalicion: Ju tregoj pse u prish aleanca me LSI-në

Publikuar më: 17:53 22-06-2017

Pasi tregoi se ku filloi krisja, kryeministri Rama ka zbuluar edhe arsyet e prishjes së koalicionit me LSI-së dhe sipas Ramës, ishte pikërisht aleati i tyre që vendosi të bëjë një zgjedhje taktike dhe dritëshkurtër.

 “Unë kam qenë vazhdimisht i mendimit që duhet të konsolidonim koalicionin për të vazhduar partneritetin strategjik. Kam bërë përpjekje për të filluar punën për 4 vjeçarin e ardhëm si koalicion, për fat të keq aleatët tanë ndoqën një rrugë taktike, nuk u bë i mundur koalicioni për 4 vitet e ardhshme. Është e qartë që për ne fitorja është e rëndësishme edhe përmasa e fitores gjithashtu. Jo për ne, por për shqiptarët”, tha Rama në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Ndërsa duke sqaruar se pse prish përfundimisht koalicioni, Rama shtoi: “Nuk është ndarje por pozicionim i ndryshëm, koalicioni nuk ndodhi, u bë e qartë për mua se aleatët kishin një qasje komplet tjetër taktike dhe dritëshkurtër, por nuk është fundi i botës”.

Kreu i qeverisë tha se nuk ishte penduar që PS me votat e saj bëri Metën president. Mes të tjerash ai tha se nuk do që të zbresë në nivele banale sa i takon diskutimeve dhe deklaratave të bëra nga Meta, që sipas tij përfaqëson edhe PD-në.

“Pendesa është një moment shumë fisnik për njeriun, por në rastin konkret mendoj se kemi bërë gjënë e duhur. Fakti që ne nuk kemi parashikuar daljen nga shinat e arsyes së Ilir Metës, nuk nga bënë fajtor, ne zgjodhëm një president që është një figurë që përfaqëson edhe PD më së miri, pa qenë anëtar i PD. Unë nuk zbres në këtë nivel banal polemike, që ka hutuar dhe habitur një popull të tërë. Por i bëj pyetje vetes se ca borxhi i ka ky popull Ilir Metës. Ai do jetë i tillë për një kohë të gjatë, ka marrë gjithçka, ka qenë kryeministër, kryetar i Kuvendit, president, me votat e PS. Se si një njeri mund të jetë kaq i respektuar dhe për të fjetur gjumë i qetë, ky është mister për mua”, tha Rama.

Gjatë kësaj interviste, Rama tha se e përjashton mundësinë e një koalicioni me LSI, ndërsa la të hapur mundësinë për bashkëqeverisje me partitë e tjera.

“LSI-në e përjashtoj se e humbi mundësinë, gjithçka tjetër do të varet nga leximi i votës së qytetarëve. Nuk jam kundër për koalicione programore, e parimore. Mirë do ishte të mos ishim të detyruar për koalicione. Do të ishte e vështirë të bëhen koalicione për numra. Nuk shoh mundësi për të ulur taksa. Ajo që shoh është se ne mund të bëjmë investime të rëndësishme”, u shpreh kryeministri.

Article Logic
Execution time: 0.0024280548095703