INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rama: Respekt për protestuesit, nuk tërhiqem [VIDEO]

Rama: Respekt për protestuesit, nuk tërhiqem [VIDEO]

Publikuar më: 17:59 19-02-2017

Në komunikimin e kësaj jave, kryeministri Edi Rama ka folur për protestën e opozitës. Ai theksoi se opozita ka gjithë të drejtën për të protestuar dhe respekton vullnetin e qytetarëve. Rama u shpreh se udhëheqësit e opozitës protestojnë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por kjo tingëllon qesharake, pasi nuk ka asnjë tentativë për të cenuar zgjedhjet. Sipas Ramës, më në fund ka një qeveri që kërkon të bëjë shtet dhe këtë e tregojnë reformat e ndërmarra.

"Dje e pamë të gjithë një protestë të thirrur prej opozitës prej javësh e cila na bëri dallimin me protestën e 6 viteve më parë kur protestusit u vranë barbarisht, u plagosën e u rrahën, dhe pse s'bënë asgjë më shumë se qytetarët që u mblodhën dje në Bulevard.

Në një shtet normal nuk është privilegj, por një e drejtë elementare, që opozitës të mos i cenohet asnjë fije floku, pavarësisht protestës apo retorikës së përfaqësuesve të saj. Kurrë s'duhet të përsëritet historia e protestës së dhunshme.

Përse një protestë?

Këtu kam një problem, jo me demokratët, por me udhëheqësit, sepse më tingëllon qesharake që këta udhëheqës protestojnë kundër qeverisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kush është kundër tyre? Ka pasur për më tepër ndonjë shprehje shqetësimi nga OSBE-ODIHR, apo institucion ndërkombëtar, për ndonjë cenim të zgjedheve?

Absolutisht jo.

A ka ndokush ndonjë fakt konkret që mund të shërbejë si provë që zgjedhjet e ardhshme do ndalohen të jetë të lira dhe të ndershme?

Absolutisht që jo.

Opozita ka braktisur që në krye të herës komisionin e reformës zgjedhore. Për më tepër, udhëheqësit e protestës së djeshme kanë një bilanc personal dhe politik shumë të dobët, për t'u harruar, në raport me lirinë dhe të drejtën e protestës si dhe standardet e zgjedhjeve.

Ç'është kjo zhurmë e përhapur artificialisht?

Unë e kam një përgjigje, udhëheqësit e kësaj proteste kanë qenë për një kohë të gjatë në pushtet dhe në qeverisjen e tyre Shqipëria ka bërë shumë pak progres, ka përjetuar shumë dhimbje prej plagëve të qeverisjes së tyre. Ata e dinë që njerëzit sot në Shqipoëri kanë halle, por e kuptojnë dhe vlerësojnë që më në fund ka një qeveri që po përpiqet të bëjë shtet. Udhëheqësit e opozitës e dinë se reformat tona prekin fije interesash të errëta dhe po përpiqen ta përdorin këtë shesh si shesh për të bërë përshesh. Reforma në Drejtësi dhe Vettingu janë shprehja për të bërë shtet dhe fantazma për gjumin e atyre që për 25 vjet e kthyen drejtësinë në mjet për të përfituar në kurriz të këtij populli, socialistë e demokratë.

Vettingu do të pastrojë këtë politikë.

Reforma është një vijë e qartë ndarëse mes Shqipërisë që trashëguam nga udhëheqësit e protestës së djeshme.

SHBA dhe BE e mbështesin dhe do ta garantojnë këtë reformë me monitoruesit e tyre, bazuar me kërkesën tonë për ndihmë.

Ata që erdhën dje në Bulevard e duan Reformën në Drejtësi dhe Vettingun njësoj siç i duan ato edhe unë e shumë të tjerë, ndërsa ata që i thirrën në protestë nuk duan as Reformën në Drejtësi dhe as Vetting-un që do largojë përgjithmonë nga drejtësia gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Ata duan t'i mbrojnë me çdo kusht të korruptuarit në Pallatin e Drejtësisë dhe siç i keni parë janë gati t'i hapin luftë Amerikës dhe Europës me lloj- lloj shpifjesh dhe akuzash qesharake.

Të gjithë këtë e maskojnë me thirrje për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në një kohë kur bota demokratike na kërkojnë Reformën në Drejtësi dhe nuk kanë shprehur ndonjë pikëpyetje për zgjedhjet e qershorit. Ato do të jenë më të mirat që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë pavarësisht nga bllokimi i Reformës Zgjedhore nga udhëheqësit e protestës së djeshme.

Ato do të jenë një zgjedhje shumë e qartë për të ardhmen e qytetarëve.

Ne jemi me krenari një qeveri që mbështet pa asnjë rezervë Reformën në Drejtësi. Do nisim me zbatimin e Vettingut.

Të bërtasësh sot për varfërinë, për familjet që jetojnë në vështirësi, korrupsionin, padrejtësitë dhe të jesh kundër Reformës në Drejtësi e Vettingut është kulmi i hipokrizisë dhe i degradimit të politikës, në një mjet për të mbrojtur përfitime personale dhe për të arritur qëllime krejt personale.

Njerëzit e zakonshëm të këtij vendi janë të lirë të mendojnë krej ndryshe nga unë. Janë në të drejtën e tyre për të protestuar kundër qeverisë, kanë të gjithë mundësinë për të kërkuar me zë të lartë vetëlargimin e kësaj qeverie një orë e më parë.

Por nëse çadra që solli protesta e djeshme do të shërbejë si streha e për t'u mbrojtur nga reforma në drejtësi dhe për të mbrojtur pengmarrësit e drejtësisë nga Vettingu, atëherë, ata, protestuesit e djeshëm do të jenë edhe të tradhtuarit më të mëdhenj nga udhëheqësit e protestës së tyre.

Unë s'kam asnjë formulë magjike për të kuruar plagët e së shkuarës të cilat jam i bindur se do t'i shërojë vetëm operacioni ynë i vendosur i reformave të gjithanshme dhe këmbëngulja jonë për të përballuar kurat e reformave përballë terapisë së gënjeshtrave që na humbën 25 vjet kohë.

Në do të vazhdojmë të punojmë, ditë-natë, deri ditën e fundit të këtij mandati.

Do të kërkojmë një mandat tjetër në 18 qershor për Shqipërinë dhe fëmijët e këtij vendi që meritojnë të jenë qytetarë të barabartë të Europës së bashkuar, ku ne do ta fusim Shqipërinë me të drejta të pota në Bashkimin Europian. Asnjë hap prapa".

Article Logic
Execution time: 0.003864049911499