INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rama sulmon LSI-në nga Vora dhe fton kryebashkiakun e kësaj bashkie të votojë PS-në

Rama sulmon LSI-në nga Vora dhe fton kryebashkiakun e kësaj bashkie të votojë PS-në

Publikuar më: 11:03 18-06-2017

Kryeministri Edi Rama, nga Vora ku zhvilloi takimin e radhës elektoral, sulmoi ashpër partinë me të cilën bashkëqeverisi për 4 vjet me radhë, Lëvizje Socialiste për Integrim duke e cilësuar një parti që blen vota, madje kërkon edhe fotografi për votën e blerë.

Rama u ndal më tej tek procesi i legalizimeve, që sipas tij nën qeverisjen e majtë u përshpejtua shumë, por shtoi faktin se për shkak të përçarjes së administratës çështja ka ngecur tek Hipoteka, që sipas Ramës mbahet peng nga LSI.

“Nuk e di pse i shqetëson fakti që duam të bëjmë shtet dhe një administratë për qytetarët. Duhet të bëjmë legalizime e hipoteka, jo ndarje unë dua patentat e tjetri pastrueset. Kështu nuk bëhet shtet. Unë nuk them se ka faj një parti e caktuar sepse të gjitha kanë qenë të përfshira në këtë histori në këto 25 vite. Unë jam krenar për punën që ka bërë koalicioni dhe nuk e kuptoj pse nuk krenohen dhe ata. Reforma në administratë dhe ajo në arsim janë shtetbërëse. Ne nuk jemi në luftë me asnjeri, thjesht jemi në luftë për shqiptarët”, tha Rama.

Më tej, gjatë bashkëbisedimit, Edi Rama përmendi faktin se kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, shprehej se e kishte mik Edi Ramën.

“Se ky Fiqo është interesant, del e thotë e kam mik Edi Ramën. Po është e vërtetë, e kam ndihmuar njëherë, por se kishte të drejtë, jo se e kam mik. Nuk e kam mik Fiqon unë. Pse del e kërkon vota për krushkun Fiqo? Ka ardhur momenti të kërkosh votë për Edi Ramën nëse del e thua e kam mik”,- tha kryeministri.

Duke vijuar ngacmimin, Rama shtoi: “Kemi detyrimin që liqenet e Vorës të mos na i marrë tepsia, mblidhe mendjen, ta kesh mirë krushkun me shëndet, të keni harmoni familjare”,- vijoi ai.

Article Logic
Execution time: 0.0020360946655273