INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rama takim me ambasadorët: “Sillni ‘njerëz me lek’ në Shqipëri”

Rama takim me ambasadorët: “Sillni ‘njerëz me lek’ në Shqipëri”

Publikuar më: 11:43 19-11-2017

Kryeministri Edi Rama deklaroi se rritja e investimeve të huaja është prioritet për Shqipërinë. Në takimin e mbajtur sot me ambasadorët, kryeministri Edi Rama, u kërkoi atyre që të sjellin investitorë të huaj në Shqipëri. Në aktivitetin me temë “Ridimensionimi i Diplomacisë Ekonomike Shqiptare: Sfida dhe Mundësi”, në “Tirana Business Park”, Rama foli për rëndësinë e tërheqjes së investitorëve të huaj në sektorët e ndryshëm prioritarë të ekonomisë.
“Ka një rritje të ndjeshme të interesit për të investuar në vendin tonë posaçërisht në turizëm, padyshim edhe në sektorin e energjisë apo të naftës, çka ka ndodhur edhe më parë. Besoj se ne duhet të fokusohemi fort tek turizmi, dhe të ngjallim interes tek investitorët e huaj, për të shfrytëzuar këto potenciale”,- tha kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë u bëri apel drejtuesve të misioneve diplomatikë që të komunikojnë me atë që janë të interesuar për të kryer investime në vend duke u treguar për potencialet.
“Unë besoj se puna e bërë me përgatitjen e këtij plani për koordinimin e institucioneve është një bazë e mirë që do të kërkojë kohën e vetë për t’u konsoliduar. Ama është e rëndësishme që çdonjëri nga drejtuesit e misioneve tona diplomatike të kuptojë rëndësinë e madhe të rolit të tij për të ndihmuar dhe këmbëngulur në kalimin sa më të shpejtë e me sukses të kësaj faze të institucioneve, që duhet t’i vihet në shërbim procesit të ndërveprimit në çdo vend ku çdo ambasadë e konsullatë do të bëjë punën e vetë”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se sot janë krijuar të gjitha kushtet për të komunikuar me të gjithë ata që janë të interesuar për potencialet dhe mundësitë që ofron vendi ynë për investime. Në këtë drejtim, ka shtuar kreu i qeverisë, një rol kyç mund të luajë edhe diaspora shqiptare, e cila sipas tij është konsoliduar ndër vite duke u kthyer në një faktor ndikues.
“Diaspora shqiptare është e përbërë nga disa gjenerata, nga ajo më e vjetër tek ajo më e re, e krijuar pas shembjes së komunizmit”, ka shtuar Rama.

Article Logic
Execution time: 0.0036680698394775