INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rama takim me homologun francez: Nënshkruhet partneriteti strategjik Shqipëri-Francë

Rama takim me homologun francez: Nënshkruhet partneriteti strategjik Shqipëri-Francë

Publikuar më: 18:14 28-03-2017

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar nw Paris takimin me homologun e tij francez Bernard Cazeneuve, ndërsa kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh të cilat ngrenë kuadrin e bashkëpunimit dypalësh Shqipëri-Francë në nivel strategjik. Gjatë vizitës, palët patën mundësinë të konfirmojnë marrëdhënien speciale midis Shqipërisë dhe Francës si dhe rëndësinë e bashkëveprimit afatgjatë midis dy vendeve në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe sigurisë, në rrafshin dypalësh, rajonal dhe më gjerë.

Në takimin e posaçëm me homologun francez Bernard Cazeneuve, Kryeministri Edi Rama shprehu falënderimet e qeverisë shqiptare për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit evropian të vendit tonë si dhe për vëmendjen e shtuar dhe dedikimin e Francës në mbarëvajtjen e proceseve dhe projekteve rajonale.

Kryeministri francez Cazeneuve vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe ecurinë e reformave në fushën e sundimit të së drejtës, përpjekjet e suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu kryeministri francez falenderoi palën shqiptare për bashkëpunimin me autoritetet franceze në fushën e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Bashkëbiseduesit veçuan rëndësinë e trefishtë të zbatimit të reformës në drejtësi si një reformë të nevojshme për të rritur besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, si dhe impaktin e saj në fushën e sigurisë dhe në përforcimin e sundimit të së drejtës në ekonomi. Pala franceze nënvizoi gjithashtu rolin e posaçëm të Shqipërisë në stabilitetin demokratik të rajonit.

Në përfundim të takimit, në praninë e dy kryeministrave, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministrat francezë Fekl, Desir dhe Todeschini, nënshkruan deklaratën e partneritetit strategjik midis dy vendeve si dhe marrëveshjet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe atë të sigurisë.

Kryeministri Rama gjithashtu  është dekoruar nga Franca me urdhrin më të lartë, “Komandant i Legjionit të Nderit”.

Urdhri “Komandant i Legjionit të Nderit” është vlerësimi më i lartë që jep Franca. Urdhri është themeluar nga Napoleon Bonaparti në vitin 1802, dhe numëron mbi 93 mijë anëtarë.

Urdhrin të lartë e ka marrë në vitin 2016 edhe shkrimtari i famshëm shqiptar Ismail Kadare.

Article Logic
Execution time: 0.003464937210083