Në ditën kur nis sesioni i ri Parlamentar, e kur në kalendarin e punimeve është kryereforma, ajo në Drejtësi, Kryeministri Edi Rama, nuk do të jetë pjesë e seancës së pasdites, pasi ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në Slloveni. Në këtë vizitë zyrtare Edi Rama është takuar me krerët më të lartë të shtetit, ndërsa iu rezervua dhe një pritje me ceremoni ushtarake.
Njoftimi i Kryeministrisë:
“Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në Slloveni, është pritur me një ceremoni ushtarake nga Kryeministri slloven, Milo Cerar.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministri i Sllovenisë, Milo Cerar kanë patur një takim kokë më kokë në Pallatin Presidencial në Lubjanë. Më pas është zhvilluar një takim mes dy delegacioneve.
Kryeministri shoqërohet në këtë vizitë nga ministrja e Zhvillimit, Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, si dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë”.